Dorëheqja e pesë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, reagon ministri Likaj

Aktuale

Dorëheqja e pesë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, reagon ministri Likaj

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 14:52
Ramë Likaj

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka reaguar pas dorëheqjes së pesë anëtarëve (dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë KSHC-së.

Sipas një njoftimi për media thuhet se ministri Likaj  është përpjekur që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së.

 

 

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës po monitoron nga afër situatën e krijuar së fundmi, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve (dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.  E ndjej si obligim të ofroj këndvështrimin tim dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto dorëheqje.  Si Ministër u emërova në qershor të vitit 2020 dhe që nga emërimi im ne si MASh kemi siguruar mbështetjen e plotë për punën e pavarur të AKA-së dhe jemi përpjekur të sigurohemi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së”, ka thënë Likaj.

Sipas tij, janë ndërmarrë disa veprime për të siguruar mbështetje dhe pavarësi të AKA-së.

“Ne kemi ndërmarrë disa veprime për të siguruar atë mbështetje dhe pavarësi për AKA-në, ndër to:

-Themelimi i Komisionit të Ankesave të AKA-së (tashmë operacional dhe funksional);

– Procedurat intensive për zhvillimin dhe finalizimin e ligjit të ri për AKA-në (drafti përfundimtar veçse ka dalë për konsultim paraprak publik);

-Kemi mbështetur zhvillimin e Strategjisë së AKA-së (procesi është në vazhdimësi). Për më tepër, aktualisht me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Kryeministrit ne po punojmë ngushtë për të siguruar ambiente të reja dhe rekrutimin e stafit të ri për AKA-në në mënyrë që të sigurohemi që shërbimet që ofrohen nga AKA-ja të jenë cilësore”.

Likaj ka thënë se të gjitha këto, i kanë bërë me qëllimin që AKA të kthehet atje ku i takon (anëtarësimi në ENQA).

“Si dhe për të mundësuar që ajo të punojë në pavarësi të plotë dhe në përputhje me ESG-të për sigurimin e cilësisë (veçojmë pikën 3.3 Pavarësia: Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve pa ndikimin e palëve të treta)”, tha tutje Likaj.

Siç thuhet në njoftim, ministri Likaj është i befasuar me këto dorëheqje si dhe nuk ka qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë.

“Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata. Së fundmi, unë dua t’iu garantoj të gjithëve se do të mbetem i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura brenda sektorit që drejtoj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të minimozohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë e arsimit tonë”, tha ministri Likaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat