Paçarizi: Sa i përket debateve, partitë politike u dorëzuan dhe ndoqën rregullat e lojës së VV-së

Aktuale

Paçarizi: Sa i përket debateve, partitë politike u dorëzuan dhe ndoqën rregullat e lojës së VV-së

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 23:22
Rrahman Paçarizi

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që fushata para zgjedhjeve të 14 shkurtit, është karakterizuar me mosrespektim të masave kundër pandemisë.

“Fushata ka qenë atipike, për shkak të situatës shëndetësore që kemi qenë. Por, ndonjëherë më duket që ky është vetëm iluzioni që ne kemi arritur të krijojmë, ose jemi përpjekur për të ndërtuar një lloj arsyetimi duke i amnistuar partitë politike për paaftësinë e tyre për të qenë kreativ, pasi këta s’kanë qenë fare të mëshirshëm për të respektuar masat”.

“Ka qenë absurde që partitë politike në Kosovë, duke u marrë me çështjen emergjente që është kriza shëndetësore, për këtë kanë folur në tubimet në të cilat nuk janë respektuar këto masa”.

“Kanë folur për tejkalimin e kësaj krize, por duke e shkaktuar potencialisht krizën. Sa i përket mungesës së debateve, VV-ja ka zgjedhur një strategji të gabueshme në raport me qytetarët, por një strategji e cila mund t’i dalë mirë në kuptimin e përgjithshëm për të fituar zgjedhjet”.

“Por, fakti që VV ka marrë një vendim të tillë, nuk i bën më mirë partive tjera politike; nuk e amniston mungesën e debatit mes partive tjera politike pasi ato në fillim të fushatës sikur janë dorëzuar dhe i kanë ndjekur rregullat e lojës që i ka përcaktuar VV-ja”.

Paçarizi në Rubikon në Klan Kosova, theksoi që ka pasë mungesë të plotë të debatit mes partive politike para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Ajo që kemi parë ne ka qenë mungesë e plotë e debatit, madje edhe atyre që i quajmë liga të para, të dyta të treta. Të vetmet ballafaqime kanë qenë mes ‘brucoshave’ të partive politike që kanë hyrë për herë të parë në listë dhe kanë pasë nevojë të dëshmohen. Të tjerët, nuk i kanë rrezikuar aspak pozicionet e veta që i kanë pasë”.

“Nëse VV-ja e ka fajin për mungesën e debatit, partitë tjera e kanë po të njëjtin faj që nuk i janë përgjigjur debatit dhe nevojës qytetare”, u shpreh Paçarizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat