​Daka: Subjektet politike të respektojnë ligjin për zgjedhjet

Aktuale

​Daka: Subjektet politike të respektojnë ligjin për zgjedhjet

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 07:42
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka realizuar të drejtën e saj kushtetuese për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Ajo ka votuar në orën 07:00 me hapjen e vendvotimeve dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rregullave për pandeminë ndërsa subjekteve politike të respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-se ka bërë të ditur se ky institucion ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për këto zgjedhje.

Daka: KQZ sot do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve

“KQZ tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe të gjitha ato obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Sot ne ua dorëzojmë të gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve, pra sot KQZ do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve meqenëse të gjitha detyrat dhe obligimet tona i kemi përfunduar”, tha Daka pasi hedhi votën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Daka bëri thirrje për kujdes dhe zbatim të rregullave që lidhen me pandeminë Covid-19.

Daka: Të respektohen masat antiCOVID-19

“Ftoj qytetarët që të respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë sepse jemi në dite kur të gjithë sot do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe i ftoj që gjatë ushtrimit të kësaj të drejtë të kenë kujdes të posaçëm për rregullat e pandemisë, gjithashtu edhe subjektet politike. Edhe njëherë i ftoj të gjitha subjektet politike që gjatë ditës së sotme t’i respektojnë të gjitha rregullat e KQZ-së, t’i respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe mbi të gjitha Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Daka.

Ndërsa për personat e prekur me koronavirus, të shtrirë në Klinikën Infektive, Daka tha se ata që janë lajmëruar për votim do të vizitohen nga ekipet mobile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat