Tashmë kur Lëvizja Vetëvendosje është fituese absolute e zgjedhjeve në Kosovë, dilema do të përqendrohet tek zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Përderisa për ta formuar Qeverinë, Albin Kurti nuk do të ketë nevojë për asnjë koalicion, ai do te duhet të bashkëpunoj më dikë në mënyrë që të bëhet kuorumi prej 81 vetash, aq sa duhet të jenë prezent në bazë të Kushtetutës së Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.
E lidhur me këtë, ish zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate, Shkodran Hoti, përmes një postimi në facebook, ka thënë se LDK assesi nuk duhet t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit në mënyrë që kjo të zgjidhet presidente e vendit.
“LDK përndryshe nuk do të duhej me ia bo kuorumin asesi Vjosës e asnjë kandidati tjetër për president që vjen nga partitë tjera, e aq më pak me i votu. Nëse vota për Thaçin ka qenë gabim e i ka kushtu, edhe vota për Vjosën ka me qenë gabim e ka me i kushtu njëjtë, ama në një formë tjetër. Vjosa sot është kundërshtare e LDK'së pak më shumë sesa ishte Thaçi nga 2007'a e këndej. Çdo bashkëpunim me të veç ka me zbeh potencialin e LDK'së për këndellje”, ka shkruar Shkodran Hoti, përcjellë “Bota sot”.