Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Hetimet nuk mund të fillojnë para prillit

Aktuale

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Hetimet nuk mund të fillojnë para prillit

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 18:12
Konferenca

Në konferencën e tretë mbi ecurinë e çështje gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, mbrojtja e tyre kanë thënë se nisja e hetimeve nga ana e mbrojtjes varet dhe nga koha se kur do të dorëzohet dosja paraprake e këtij rasti. Si pengesë në nisjen e hetimeve mbrojtja ka përmendur edhe pandeminë COVID-19.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit, Hashim Thaçi, David Hooper ka deklaruar se edhe nuk kanë nisur përgatitjet për hetimet dhe se nuk shohin mundësi që para muajit prill t’i nisin ato.

Hooper: Hetimet nuk mund të fillojnë para prillit

“Neve ende nuk i kemi filluar përgatitjet për hetimet. Unë personalisht nuk i shoh hetimet që të mund të fillojnë para prillit dhe mund të them se edhe nëse nuk do ishte fare situata e COVID-it më duhet të them se do ishte e vështirë, megjithatë COVID ka parashtruar vështirësi të mëdha për ne”, tha ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson tha se për nisjen e hetimeve nga mbrojtja nuk mund të japin datë së saktë sepse kjo varet edhe nga dorëzimi i dosjes paraprake. Por ai tha se hetimet mund të nisin në dy javët e para të majit.

Emmerson: Hetimet parashikojmë t’i nisim në dy javët e muajit maj

“Parashikohet nga ana jonë që ne të fillojmë me pjesën e hetimit nga dy javët e para të majit, megjithatë edhe kjo datë mbështetet fort tek pjesa e nxjerrjes së informacioneve që do vihen në dispozicion nga Prokuroria dhe nga dosja paraprake që do marrim prej tyre. Jam takuar me mbikëqyrësin tim ndërkombëtar dhe duhet të them se unë aktualisht nuk shkoj fare në Kosovë sepse do ishte qesharake nëse nuk do merrnin situatën dhe rrethanat e krijuara nga COVID”, deklaroi Emmerson.

Gjatë kësaj pjese të dytë të konferencës së tretë mbi ecurinë e çështje gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka reaguar prokurorit special, Jack Smith.

Krasniqi tha se Smith nuk mund të flas në emër të qytetarëve të Kosovës, por vetëm si mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë që ka kryer ndaj popullit të Kosovës.

Krasniqi: Smith mund të flas vetëm si mbrojtës i politikave të krimit serb ndaj Kosovës

“Unë kam reagim në fjalën e prokurorit, zotit Smith kur foli në emër të popullit të Kosovës. Në emër të qytetarëve të Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, mund të flasim ne përfaqësuesit e tij. Unë 45 vjet të jetës time i kam të angazhuar për lirinë për drejtësi dhe për çlirimin e kombit tim nga robëria. Në zgjedhjet e vitit 1992, kam qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës që regjimi kriminel i Serbisë nuk i kanë lejuar që të konstituohet. Pas luftës çlirimtare kam qenë në të gjitha legjislaturat, deri në atë të vitit 2014, përfaqësues i qytetarëve të Kosovës dhe e kisha lutur prokurorin nëse ai duhet të flas në emër të dikujt, ose duhet të flasë në emër të krimeve të pretenduara, ai le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që regjimi i Serbisë ka përdorur gjatë kombit tim nga viti 1976-78 të shekujve 19, prandaj në emër të popullit tim, kombit tim, në emër të luftës dhe sakrificave të mëdha të kombit tim, flasim ne përfaqësuesit e tij dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim e në mënyrë të veçantë luftën e fundit të popullit tim për liri, drejtësi, barazi dhe shtetndërtim, për çka kombi ynë dhe ne vet e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare, e kemi çliruar Kosovën dhe është shtet i pavarur dhe i lirë nga ai regjim”, theksoi ai.

Gjatë konferencës së sotme statusore mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me nxjerrën e materialeve nga Zyra e Prokurorit Special. Mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar që dosja paraprake me lëndën të dorëzohet sa më shpejtë.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi edhe në këtë seancë nuk morën pjesë fizikisht, por ishin pjesë përmes video-lidhjes.

Ish-presidenti i Kosovës, dy ish-kryeparlamentarët dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, përballjen me Gjykatën Speciale e nisën në fillim të muajit nëntor kur edhe u publikuan aktakuzat ndaj tyre, për të cilat u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat