​KMDLNj kërkon hetime për sulmin ndaj djalit të Rashiqit dhe djegien e veturës së Bajqinovcit

Aktuale

​KMDLNj kërkon hetime për sulmin ndaj djalit të Rashiqit dhe djegien e veturës së Bajqinovcit

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 10:04
Foto ilustrim

KMDLNj ka reaguar pas dhunës ndaj djalit të politikanit serb Nenad Rashiq si dhe djegies së veturës së ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci duke kërkuar që të dy rastet të hetohen.

KMDLNj, edhe më parë ka reaguar ndaj shantazheve, kërcënimeve dhe dhunës fizike ndaj liderëve politikë serbë të Kosovës të cilët dolën në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve të tyre e që nuk ishin me vijën zyrtare të Beogradit por shton se reagimi i institucioneve ka qenë në shpërputhje me rrezikun që iu janë nënshtruar politikanët serbë të Kosovës.

“Dhuna ka eskaluar kryesisht para zgjedhjeve, gjatë fushatave dhe ditën e zgjedhjeve për të frikësuar votuesit dhe, në këtë mënyrë janë eliminuar nga skena politike thuaja të gjithë liderët politikë serbë të Kosovës që kanë udhëhequr një politikë të arsyeshme, jokonfrontuese, integruese dhe bashkëpunuese. Pikërisht për këtë janë sulmuar, linçuar publikisht Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Rada Trajkoviq dhe të tjerë në mesin e të cilëve ka pasur të arrestuar nga BIA- a e Serbisë sikur ishte rasti i Sllobodan Petroviqit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thotë se gjykata duhet të thotë fjalën e fundit nëse ishte koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm ndaj Nikolla Rashiqit, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq.

“Ndonëse rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Nikolla Rashiq nxisin dyshime të bazuara për motivet e sulmit, KMDLNj fton të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese, deri në një vendim të gjykatës kompetente. KMDLNj e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rastit e që nënkupton se ky rast po trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm”, vijon komunikata.

KMDLNj vijon ka kërkuar hetime edhe për djegien e veturës së kandidatit për deputet nga LVV, Mefail Bajqinovci.

“Edhe për këtë rast KMDLNj kërkon hetime në mënyrë që të përcaktohen shkaqet që kanë prurë deri te djegia e veturës të z. Bajqinovci. Në këtë mënyrë, me vërtetimin e shkaqeve do të eliminoheshin spekulimet e mundshme, ose, në të kundërtën, nëse sigurohen prova për zjarrvënie të qëllimshme, duhet të gjinden kryerësit e mundshëm dhe të sillën para organeve të drejtësisë e që ia rrezikuan seriozisht jetën deputetit Bajqinovci”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat