​Mustafa kërkon nga institucionet e drejtësisë ta zbardhin rastin

Aktuale

​Mustafa kërkon nga institucionet e drejtësisë ta zbardhin rastin

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:39
Besian Mustafa

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë se nuk ka asnjë arsye të jap dorëheqje, pas arrestimit të 12 zyrtarëve të dikasterit të tij për keqpërdorim të subvencioneve, detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti. Derisa nuk ka dashur ta ndërlidhë aksionin e sotëm me çështje politike, Mustafa tha se tashmë mbetet prokurorisë dhe hetuesisë ta çojë rastin deri në fund.

Përmes një konference për medie, Mustafa tha se transparenca ka qenë kryefjala e qeverisës së tij dhe për këtë ka ndërmarrë një sërë veprimesh për shkarkim të zyrtarëve në fillim të mandatit të tij.

Mustafa: Transparenca dhe bashkëpunimi ligjor kanë qenë kryefjala e punës sonë

“Që nga dita e parë e marrjes së mandatit të ministrit të Bujqësisë jam përkushtuar për bashkëpunim të plotë me organet e rendit dhe ligjit të kujdesemi për çfarëdo dyshimi apo paqartësie ligjore. Në këtë drejtim në fillim të mandatit pas konfirmimit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare kam suspenduar sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë dhe krye shefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe pesë zyrtarë të tjerë. Transparenca dhe bashkëpunimi ligjor kanë qenë kryefjala e punës sonë. Gjë që kemi theksuar qysh nga fillimi dhe të mbajmë zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve eventuale. Personalisht në asnjë formë nuk dua t’i komentojë apo t’i përdorë për përfitime politike hetimet në AZHP. Çdo gjë e kemi adresuar tek institucionet e drejtësisë dhe në këtë formë do të veprojmë gjithmonë”, tha ai.

I pyetur për ndikimet e mundshme politike për këtë rast, Mustafa tha se nuk dëshiron të politizojë këtë çështje.

Mustafa: Nuk dua të politizojë këtë çështje

“Kjo nuk ka të bëjë me aspektin politik, prandaj as nuk dua të politizojë këtë çështje. Ta përdorë unë, apo kushdo qoftë për poenë politik. Kjo është çështje për prokurorinë dhe hetuesin. Prandaj do t’iu lëmë atyre të veprojnë” shtoi ai.

Lidhur me mundësitë e dorëheqjes së tij, Mustafa tha se nuk ka asnjë arsye t’i ikë përgjegjësisë për lirim nga detyra.

Mustafa: Unë nuk kam asnjë arsye që të ikë nga përgjegjësia dhe detyra

“Unë nuk kam asnjë arsye që të ikë nga përgjegjësia dhe detyra. Do të vazhdojë bashkëpunimin tim me organet e rendit dhe ligjin deri në fund”, u shpreh Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat