Vrau prindërit, vëllezërit dhe veten, si arriti policja ta merrte armën nga sirtari

Aktuale

Vrau prindërit, vëllezërit dhe veten, si arriti policja ta merrte armën nga sirtari

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 18:43
Valdete Bllaca

Një vit pas vrasjes së shumëfishtë që kishte tronditur gjithë vendin, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj policit që ishte përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë. Nga ky institucion kanë zbuluar edhe mënyrën se si kishte arritur zyrtarja policore, Valdete Bllaca që ta nxirrte armën nga sirtari, me të cilën kishte vrarë prindërit, vëllezërit dhe më pas veten.

Shtëpia e familjes Bllaca në lagjen “Bojanina” të Gjilanit ishte mbuluar nga gjaku mëngjesin e 18 shkurtit të vitit të kaluar. Të gjithë anëtarët e kësaj familje, ishin gjetur pa shenja jete atë ditë në hapësira të ndryshme të kësaj shtëpie.

Ata ishin vrarë nga e bija e vetme e kësaj familje, zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila më pastaj kishte bërë vetëvrasje.

Ajo kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë dhe në bazë të raporteve, ishte rekomanduar që të punonte pa uniformë dhe pa armë zyrtare.

E një vit pas kësaj ngjarjeje, është ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit përgjegjës për ruajtjen e armëve dhe është zbuluar mënyra se si Bllaca kishte arritur që ta nxjerrë armën nga sirtari.

Një informacion të tillë e kanë dhënë nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Xheladini, i ka thënë se aktakuza ndaj policit me inicialet XH.A, është ngritur për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, më 05 Janar 2021, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit XH.A., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, pasi i njëjti si person zyrtar – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policor, duke mos ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, e ndjera V.B., kishte arritur t’i fotokopjonte çelësat e zyrës dhe sirtarit metalit, ku nga aty kishte marrë armën e saj zyrtare, me të cilën ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund ka kryer vetëvrasje”, thuhet në përgjigjet e Xheladinit.

Ndryshe, Bllaca ishte trajtuar në 14 seanca dëgjimore dhe këshilluese para se ta kryente vrasjen e shumëfishtë dhe vetëvrasjen.

Për herë të fundit, ajo kishte mbajtur trajtim në fillim të tetorit të vitit 2019, kur edhe ishte rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës dhe armës zyrtare.

“Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 03.10.2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore/psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse”, kishte njoftuar Policia.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat