Kandiq: Vullneti politik edhe më tutje vendimtar për të vërtetën rreth të pagjeturve

Aktuale

Kandiq: Vullneti politik edhe më tutje vendimtar për të vërtetën rreth të pagjeturve

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 19:54
Natasha Kandiq

Pa vullnet politik dhe pa qasje në dokumentet me rëndësi publike, çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë nuk mund të zgjidhet, ka thënë Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në një konferencë të mbajtur më 25 shkurt, e cila është organizuar në formatin online në internet nga rrjeti për pajtim RECOM.

“Vazhdimisht po shtrohet pyetja se a do të vijë ajo ditë kur mund të themi se kemi bërë gjithçka kur bëhet fjalë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Kandiq.

Ajo ka vlerësuar që vetëm Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtar mund të zgjidhin këtë çështje.

“Vazhdimisht flitet për numra dhe për çështje humanitare, por kurrsesi nuk po shohim vullnet politik, në kuptimin e informacioneve për zbulimin e varrezave masive të reja”, ka shtuar Kandiq, gjatë prezantimit të rezultateve të hetimeve lidhur me çështjen e personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Natasha Kandiq ka theksuar që dokumentacioni i personave të zhdukur ndryshon nga dokumentacioni i personave të vrarë, sepse burimet kryesore të informacionit, kur bëhet fjalë për personat e pagjetur, janë bisedat me familjet e tyre.

Për hulumtuesit nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjithashtu është e rëndësishme që të dinë se në cilat lokacione janë zhvilluar aksionet luftarake, të cilat kanë përfunduar me dëbimin e popullatës nga vendet e caktuara.

Predrag Milletiq, një prej hulumtuesve nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili për shumë vite ka punuar për të sqaruar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ka përkujtuar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë, kur bëhej fjalë për personat e zhdukur, më së shpeshti ka sjellë aktvendime liruese, sepse nuk kishte prova të mjaftueshme për atë se çfarë u ka ndodhur atyre.

“Pas miratimit të Ligjit për qasje në informacione me rëndësi publike, ne iu drejtuam disa herë institucioneve, kryesisht Ushtrisë dhe Policisë, por në shumicën e rasteve ata refuzuan të ndajnë informacionet. Ka dokumentacion që është i paqasshëm për ne dhe është shpallur si sekret shtetëror”, theksoi Miletiq.

Ai ka sqaruar që ai dokumentacion do të ishte me rëndësi të madhe kur bëhet fjalë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga Kosova, sepse “përmban informacione të rëndësishme, prej të cilave mund të shihet se kush kanë qenë aktorët e operacioneve për fshehjen e kufomave në Kosovë”.

Lidhur me këtë, Natasha Kandiq ka konstatuar që gjykatat ndërkombëtare penale mund të kontribuojnë më shumë për zbardhjen e krimeve të kryera se sa gjykatat vendore, sepse “përvoja ka treguar se sa është e varur puna e gjykatave nga vullneti politik”.

“Ne ende kemi një numër të madh të të zhdukurve nga fillimi i luftës në Kosovë, në vitin 1998 dhe ajo që duhet të jetë veçanërisht shqetësuese pas 21 vjetësh, është se ne kemi shumë të moshuar të zhdukur dhe nuk mund të mbetem pa përmendur që gati 30 burra dhe gra të moshuar u zhdukën më 1 qershor 1998 nga një fshat afër komunës së Deçanit. Kjo ka ndodhur pasi që atje ishin forcat serbe dhe madje ka indikacione që aty ka pasur pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Ne ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ata njerëz të moshuar, të cilët kanë pasur më shumë se 60 vjet”, tha Natasha Kandiq.

“Gjeneralët, të cilëve sot në Serbi u thuren lavde, duhet të japin të dhënat për atë se çfarë ka ndodhur në zonën e Krelanit (Komuna e Gjakovës), ku janë dërguar trupat dhe ku gjenden mbetjet mortore”, theksoi Kandiq.

Në Kosovë ende evidentohen si të pagjetur mbi 1.600 persona, shumica e të cilëve janë shqiptarë./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat