Familja e anëtarit të LDK-së drejton gishtin: Ja komandantët që e lanë vetë Adem Jasharin

Aktuale

Familja e anëtarit të LDK-së drejton gishtin: Ja komandantët që e lanë vetë Adem Jasharin

Nga: P.R Më: 5 mars 2021 Në ora: 21:50
Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari

Sulmi që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Komandantit legjendar, Adem Jasharit,

E familja e anëtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, përmes një postimi në facebook, kanë shkruar se komandantët e UÇK-së nuk i dolën në ndihmë Adem Jasharit.

“Skenarin e vërtetë të kësaj ngjarje duhet ta shpalosin të gjitha ata që vethirren 'komandant', pse nuk i dolën në ndihmë themeluesit të UÇK-së, kryekomandantit të Ushtrisë, Adem Jasharit. Si është e mundur askush nga 'shokët' nuk e shkrepi një fishek në ndihmë kryekomandantit të një ushtrie?!”, shkruan ndër tjerash familja Imeri, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

RRËFIMI i vërtetë i një historie të dhimbshme kombëtare është historia e familjes heroike të Bacës Shaban Jashari me djem e nipa, mbesa e gra, me heronj e heroina!

Familja Jashari është sakrifica, flijimi, epopeja, qëndresa, liria dhe pavarësia e Kosovës.

Një shembull si ky i paparë, i pa regjistruar në historinë e popujve kudo që luftuan për liri dhe pavarësi.

Familja heroike Jashari luftoi kundër okupatorit serb me guxim e atdhedashuri, luftuan, qëndruan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

E vërteta është se një familje e tërë, luftonte kundër pushtuesit serb, kjo është Epopeja e Familjes heroike JASHARI, dhe e askujt tjetër.

Skenarin e vërtetë të kësaj ngjarje duhet ta shpalosin të gjitha ata që vethirren 'komandant', pse nuk i dolën në ndihmë themeluesit të UÇK-së, kryekomandantit të Ushtrisë, Adem Jasharit.

Si është e mundur askush nga 'shokët' nuk e shkrepi një fishek në ndihmë kryekomandantit të një ushtrie?!

Pas rënies heroike të Bacës Shaban me heronj dhe heroina tash e dy dekada dëgjojmë, lexojmë, hiperbolizime, gënjeshtra, justifikime 'trimëri' nga më të larmishmet. 'Dishepjut' e kryekomandantit, rrëfehen dhe kryqëzohen në Kishë duke e arsyetuar pamundësinë e tyre për të marrë pjesë në fushëbetejën e Prekazit ...! Broçkulla broçkulla të pa-fundme!

Profiterët e luftës gjendeshin kudo në Kosovë, por nuk e gjenden në Prekaz në momentet, netët kritike -historike ku krykomandanti përballej me vdekjen, luftonte vetëm me familjen kundër forcave militare, policore njësitet speciale të okupatorit serb.

'Shokët' e Kryekomandantit i kishte lëshuar toka teksa për Kosovën flijohej familja heroike Jashari, bashkë me kryekomandantin e UÇK-së.

'Komandantët' rrahagjoks e frikacak, këta mashtrues ordiner, dhe profiterë lufte paqe po duket qartë se ishin, janë e keqja më e Kosovës.

Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje për datën 4- 5- 6- 7 mars 1998. Një ditë domosdoshmerisht do te kemi përgjigje për ngjarjen, LAVDINË tragjedinë dhe Epopenë e Prekazit.

Ku gjendej komandant Gani Thaçi në këtë kohë?

Ku gjendej komandant Kadri Veseli?

Ku Gjendej komandant Sulejman Selimi?

Ku gjendej komandant Hashim Thaçi?

Ku gjendej komandant Sami Lushtaku?

Ku gjendeshin komandantët tjerë që nuk i dolën në ndihmë kryekomandantit Adem Jashari?!!!!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat