Ish ambasadori reagon përsëri: Shkurt, ja çfarë duhet të kuptojë Richard Grenell...

Aktuale

Ish ambasadori reagon përsëri: Shkurt, ja çfarë duhet të kuptojë Richard Grenell...

Nga: P.R Më: 6 mars 2021 Në ora: 19:01
Richard Grenell

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, përmes një postimi ka reaguar përsëri ndaj Richard Grenell, ish emisar i ish presidentit amerikan, Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi.

“Shkurt, Grenelli duhet të kuptojë se në Kosovë nuk e pyet kush dhe se ai nuk ka më fuqi të ndikojë për asgjë. Udhëheqësit e rinj të Kosovës kanë siguruar një shumicë parlamentare të përgjegjshme e dinjitoze, e cila pamundëson kombinimin e arrogancës së ndërkombëtarëve me servilizmin e vendorëve për të rrëzuar dhe ngritur qeveri, sa herë t`u teket atyre. Ata janë të vendosur të bashkëpunojnë me administratën e re amerikane të presidentit Bajden, e cila po dëshmon që është shumë më parimore, më bashkëpunuese dhe më e drejtë me Kosovën, sesa ajo e mëparshmja”, shkruan Lauka, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Edhe një herë për zombin Grenell

Në këtë postim, fjala “zombi”, përdoret në kuptimin “kufomë e ngjallur”. Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020, kur populli amerikan e ktheu Riçard Grenellin në kufomë politiko-diplomatike, për disa muaj, ai u zhduk nga rrjetet sociale, por ja që kohët e fundit, u ringjall dhe filloi të cicërojë, thuajse çdo ditë, për Kosovën, tashmë, në trajtën e një zombi, duke u përpjekur t`i tregojë se çfarë duhet dhe çfarë jo.

Por zombit Grenell duhet t`i kujtohet që në jetën reale, në marrëdhëniet me të, Kosova veproi si në këngën e vjetër popullore, “Pak na u duke e shumë na dole”. Ai duhet ta dijnë se ata që nuk e pyetën kur ishte në pupa (në kulmin e fuqisë), tani që është kthyer në kufomë, as që merren fare me të.

Së dyti, me zgjedhjet e 14 shkurtit, qytetarët e Kosovës i pensionuan politikisht aleatët e dikurshëm të Grenellit, të cilët ai i pati përdorur si “kalë Troje” për të përmbysur qeverinë e Albin Kurtit.

Së treti, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, kanë ikur në masë edhe deputetët servilë të Kuvendit të Kosovës, të cilët, me 25 mars 2020, rrëzuan Kurtin, me 2/3 e votave.

Së fundi, përfaqësuesit e medias që dikur i jargaviteshin Grenellit para e prapa, tani nuk ia kanë ngenë një zombi, sepse kanë filluar të flirtojnë me të fortin e radhës.

Shkurt, Grenelli duhet të kuptojë se në Kosovë nuk e pyet kush dhe se ai nuk ka më fuqi të ndikojë për asgjë. Udhëheqësit e rinj të Kosovës kanë siguruar një shumicë parlamentare të përgjegjshme e dinjitoze, e cila pamundëson kombinimin e arrogancës së ndërkombëtarëve me servilizmin e vendorëve për të rrëzuar dhe ngritur qeveri, sa herë t`u teket atyre. Ata janë të vendosur të bashkëpunojnë me administratën e re amerikane të presidentit Bajden, e cila po dëshmon që është shumë më parimore, më bashkëpunuese dhe më e drejtë me Kosovën, sesa ajo e mëparshmja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat