Gratë e LDK-së pa ambicie për ta udhëhequr partinë, deri më tani asnjë kandidaturë

Aktuale

Gratë e LDK-së pa ambicie për ta udhëhequr partinë, deri më tani asnjë kandidaturë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 23:07
LDK

Më 14 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i mbajë zgjedhjet për kryetar të partisë pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa dhe tashmë janë zyrtarizuar pesë kandidatura, por ndër to, asnjë grua.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje pas rezultatit të dobët që ka treguar ky subjekt politik në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe tashmë janë zyrtarizuar kandidaturat që pretendojnë të udhëheqin partisë pas 14 marsit.

Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Besian Mustafa dhe Skender Gashi kanë shprehur edhe formalisht gadishmërinë e tyre për të udhëhequr me LDK-në, por bie në sy fakti se nuk është shpallur asnjë kandidaturë nga gratë e LDK-së.

Forumi i gruas në LDK, që është trajtuar gjithmonë si segment i fuqishëm politik në këtë subjekt, nuk kanë reaguar dhe ende nuk është dëgjuar zëri i tyre lidhur me zhvillimet që kanë përfshirë këtë subjekt politik, përveç ish-deputetes Melihate Tërmkolli.

Ajo në paraqitjet e saj televizive nuk ka mohuar mundësinë e shpalljes së kandidaturës dhe kandidimit për kryetare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në një prononcim të shkurtë për media sot ajo është shprehur se nuk do të komentojë lidhur me këto çështje.

“Nuk dua fare, fare të flas lidhur me këtë”, ka deklaruar Tërmkolli, duke injoruar tërësisht pyetjen lidhur me mundësinë e zyrtarizimit të kandidaturës së saj për kryetare të LDK-së.

E se nuk ka pretendime për të udhëhequr partinë të cilës i takon,  ka deklaruar edhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë ditës së sotme.

“Jo, nuk kam pretendime për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës, pra për të kandiduar në zgjedhjet për kryetar”, tha shkurt Bajrami.

Lajmi ka tentuar të marrë edhe prononcime të tjera nga gra të rëndësishme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës si Vlora Dumoshi dhe Besa Gaxherri por ato nuk janë përgjigjur në telefonatat dhe pyetjet e shtruara me shkrim.

LDK në zgjedhjet e vitit 2019 kishte garuar në zgjedhje me Vjosa Osmanin si bartëse të listës dhe kandidate për kryeministre të Kosovës, por duket se pas largimit të saj nga ky subjekt politik, asnjë grua tjetër nuk i ka ambiciet e saj.

Osmani gjithashtu sa ishte pjesë e LDK-së ka qenë emri më i përfolur për t’u bërë kryetare e partisë, por në zgjedhjet e fundit të këtij subjekti politik strukturat kishin arritur kompromisin e rizgjedhjes së Isa Mustafës për të evituar përçarjet e brendshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat