KQZ certifikon rezultatin e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje merr 50,28 për qind

Aktuale

KQZ certifikon rezultatin e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje merr 50,28 për qind

Më: 13 mars 2021 Në ora: 07:57
Valdete Daka

(E plotësuar 12:09) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti sipas së cilave Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese më 50.28 për qind të votave. Pas këtij vendimi, Kushtetuta e Kosovës e obligon presidentin e vendit që në një afat prej 30 ditësh të thërras seancën e parë të Kuvendit për të formuar institucionet e reja.

Rezultati përfundimtar i certifikuar sot nga KQZ tregon se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike 19 ulëse, Lidhja Demokratike 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë ulëse.

Lista Serbe ka fituar dhjetë ulëset e garantuara për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës ndërsa nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Daka: Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës

“Lëvizja Vetëvendosje i ka gjithsej 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës ka 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, Srpska Lista 10, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Kosova demokratik Turk Partisi 2 ulëse, dhe nga një ulëse kanë Koalicija Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciyative, Nova Demokratska Stranka, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Doranska Partija, Partia e Ashkalinjve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”, tha ajo.

Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq ka humbur ulësen në Kuvendin e Kosovës pas ankesës kundër saj në PZAP dhe Gjykatë Supreme, derisa në vend të saj ulëse ka fituar Unioni Socialdemokrat i Duda Balje.

Për Adrijana Hoxhiq ka pasur ankesa se e njëjta ka fituar vota falë ndihmës së Listës Serbe në vendet ku nuk ka shumicë boshnjake por serbe.

Gjithashtu pas ankesave, Iniciativa Rome do të ketë vetëm një ulëse në Kuvend.

Ndërsa Meliza Haradinaj-Stublla e AAK-së që ishte në listën e deputetëve që fituan ulëse në Kuvend, rezultati përfundimtar, pas rinumërimit të disa vendvotimeve tregon se ajo ka mbetur jashtë Kuvendit. Në vend të saj do të jetë deputetja Albana Bytyqi e cila edhe ishte ankuar se Meliza Haradinaj, për të cilën ka dyshime për blerje votash, kishte marrë votat e saj.

Certifikimi i rezultatit vjen pasi u trajtuan ankesat e kandidatëve për deputetë dhe partive politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka u ka bërë thirrje deputetëve të ardhshëm të Kosovës që të kenë prioritet reformën zgjedhore.

Daka: Deputetët e zgjedhur mos të lënë në udhëkryq reformën zgjedhore

“Nga këtu dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lejnë në udhëkryq, por t’i japin rrugën e duhur. KQZ është e gatshme për të dhënë̈ kontributin e vet profesional në këtë reformë”, tha Daka.

Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt të këtij viti kanë votuar 48 mijë e 78 votues nga 1.7 milionë qytetarë me të drejtë vote.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti. Nga tani i hapet rrugë thirrjes së seancës për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, që duhet të bëhet nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës.

Nga rezultati përfundimtar i certifikuar sot në KQZ, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve më 50.28% të votave.

Partia Demokratike e Kosovës më 17.09%, Lidhja Demokratike e Kosovës 12.73%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.12%, Lista Serbe 5.09%. Ndërsa Ujedinjena Zajednica-Adriana Hoxhiq ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës me rezultat 0.25%.

Ky vendim i KQZ vjen pas konfirmimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të Gjykatës Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar dhe vendosur.

Image
Image

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së, përqindja e daljes në zgjedhje ka qenë 48,78 për qind.

Nga ky numër i votuesve, Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 438 mijë vora ose 50,25 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbi 148 mijë vota, apo 17 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbi 110 mijë vota ose 12,73 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbi 62 mijë vota ose 7.12 për qind, ndërsa Lista Serbe ka 5.09 për qind.

***

KQZ-ja mblidhet për certifikimin e rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, që ka konfirmuar se mbledhja do të mbahet prej orës 10:00.

“Mund t’iu konfirmoj se KQZ-ja do të mblidhet të shtunën për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt”, tha Elezi.

Certifikimi i rezultatit vjen pasi Gjykata Supreme ka mbyllur çështjen e ankesave, ku ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat