Fetoshi: PDK-së i duhet reformë urgjente, nëse nuk reagohet do kthehet në parti lokale

Aktuale

Fetoshi: PDK-së i duhet reformë urgjente, nëse nuk reagohet do kthehet në parti lokale

Më: 21 mars 2021 Në ora: 19:58
Partia Demokratike e Kosovës

Ish-kandidati për deputet nga PDK’ja, Arben Fetoshi, ka thënë se subjektit politik në të cilin është i duhet një reformë totale, duke konstatuar rënie të vazhdueshme të saj që nga 2017-a. Ai ka paralajmëruar edhe kthimin e PDK’së në parti lokale nëse një gjë e tillë nuk ndodh.

Fetoshi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka kërkuar reformim të strukturave, në të cilat thotë se janë “bunkerizuar” pozitave në PDK. “Nuk mund të flitet për reformë duke i ruajtur strukturat e vjetra, duke u bunkerizuar në pozitat e kahershme dhe duke e komanduar votën e partisë për të përshtatshmit apo të fortit”, ka shkruar ai..

Tutje, profesori universitar ka shtuar se thirrja e këtij subjekti politik në vlerat e luftës së UÇK’së ka sjellë braktisjen e luftëtarëve e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare nga PDK’ja.

Postimi i plotë:

Partisë Demokratike (PDK) i duhet reformë urgjente dhe e thellë. I duhet reflektim serioz për rënien e vazhdueshme që nga viti 2017.

Çdo analizë që tenton ta arsyetojë rezultatin me shkaqe apo fajtorë jashtë PDK-së, do të jetë vetëmashtrim me pasoja katastrofale në zgjedhjet e vjeshtës.

Reforma nuk është një përrallë e bukur për t’iu rrëfyer elektoratit, as vetëm koncept i ri në përputhje me kërkesat e reja për politikën.

Nuk mund të flitet për reformë duke i ruajtur strukturat e vjetra, duke u bunkerizuar në pozitat e kahershme dhe duke e komanduar votën e partisë për të përshtatshmit apo të fortit.

PDK-ja nuk është as LDK, as AAK e as Vetëvendosje, ajo ka specifikat e veta të zhvillimit dhe të degradimit.

Ndërkohë që lidershipi i PDK-së vazhdon të ngulmojë në vlerat e lëvizjes atdhetare dhe UÇK-së, ajo duket se e ka braktisur ndjeshëm substancën e vet. Sa shumë luftëtarë e familje të dëshmorëve nuk janë sot me PDK-në, sa shumë veprimtarë e të burgosur politikë janë sot në subjekte të tjera? Nëse kjo duhet të konstatohet si pasojë, të gjithë e dimë se nuk ka ndodhur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nëse PDK-ja nuk e mirëkupton pezmin e qytetarëve dhe mbi këtë bazë t’i nënshtrohet ndryshimeve që do të sillnin qasje të re në komunikimin me ta, atëherë refuzimi dhe mosbesimi i tyre veç sa do të rritet në zgjedhjet lokale.

Me gjithë fushatën e mirë, programin dhe listën mjaft cilësore, rezultati i 14 shkurtit reflekton edhe solidaritet me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si lider i partisë, të cilët po mbahen në paraburgim nga Specialja.

Pra, rezultati mund të ishte edhe më i keq, e nëse nuk reagohet shpejt dhe me vendosmëri, pa inate e ‘luftë’ mes njëri tjetrit, rënia do të vazhdojë pashmangshëm duke e reduktuar në një tjetër parti lokale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat