Kush janë Donika Gërvalla e Faton Peci, dy ministrat e Qeverisë Kurti nga lista e Vjosa Osmanit?

Aktuale

Kush janë Donika Gërvalla e Faton Peci, dy ministrat e Qeverisë Kurti nga lista e Vjosa Osmanit?

Më: 22 mars 2021 Në ora: 22:23
Faton Peci dhe Donika Gervalla

Dy deputet nga Lista e Vjosa Osmanit kanë marrë pozita në kabinetin e Qeverisë Kurti 2.

Donika Gërvalla është emëruar zëvendësministre e dytë dhe ministre për Punë të Jashtme, ndërkaq Faton Peci ministër i Bujqësisë.

Por kush janë dy ministrat e Qevrisë Kurti, të cilët vijnë nga lista e Vjosa Osmanit?

Profili i zëvendësministres së dytë dhe ministres për Punë të Jashtme Donika Gërvalla:

Donika Gërvalla ka lindur në Shkup në tetor 1971. Fëmijërinë e hershme e kaloi në Prishtinë. Pas arratisjes së babait në dhjetor 1979 për t’iu shmangur arrestimit nga policia jugosllave për shkak të veprimtarisë atdhetare, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit arratisen në janar 1980 në Gjermani. Pas atentatit të trefishtë në Untergruppenbach më 17 janar 1982, familja Gërvalla vendoset në Tiranë.

Në fëmijëri shquhet për talentin e saj muzikor dhe merr pjesë si soliste në flaut që në moshën 11-vjeçare në koncerte të shumta. Ajo ka studiuar muzikë në konservatoret e Tiranës dhe Hamburgut si dhe drejtësi në Universitetin e Hamburgut.

Në dhjetor 1990 ishte pjesë e protestave studentore dhe në shkurt 1991 e grevës së urisë së studentëve, të cilat çuan në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

Në shtator 1991 ishte bashkëorganizatore e Referendumit për Pavarësi në Tiranë, organizimin ky që i mundësoi shprehjen e vullnetit qindra qytetarëve të Kosovës që ndodheshin në Shqipëri.

Në qershor 1992 largohet nga Shqipëria për studiuar në Gjermani.

Është anëtare nderi e LDK-së nga shkurti 1991; 1993-1997 ishte nënkryetare, ndërsa 1997-1999 anëtare e kryesisë së degës së LDK-së në Gjermani. Si zëdhënëse e LDK-së gjatë dy viteve të luftës përfaqësoi qëndrimet e Kosovës para opinionit gjerman, në qeveri dhe Bundestag, në TV, radio, gazeta, debate.

Pas një faze të angazhimit pa funksione partiake, në vitin 2015 u zgjodh kryetare e LDK-së në Gjermani. Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja.

Është e martuar me Stefan Schëarz, ish-deputet i CDU-së në Bundestag. Familja Gërvalla-Schëarz ka gjithsej 5 fëmijë dhe jeton në Bonn, Gjermani.

Profili i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci:

Faton Peci është lindur në qershor të vitit 1982, në Mitrovicë.

Ka përfunduar studimet në Shkenca Politike dhe Filozofi në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, si dhe studimet e nivelit Master në Shkenca Politike.

Ai ka shërbyer si Shef i Stafit në Presidencë; Këshilltar politik i Kryetarës së Kuvendit; Këshilltar i zv/Kryeministrit si dhe Ministrit të Kultures, Rinisë dhe Sportit. Ai ishte gjithashtu konsulent i UNDP-së dhe CDF në projekte që ndërlidheshin me përkrahjen e institucioneve, si dhe konsulent i DFID në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ai ishte edhe anëtar i Asamblesë Komunale të Mitrovicës.

Peci, sipas biografisë së publikuar në faqen e LVV-së , mbështet politika që promovojnë një sistem të arsimit më cilësor dhe shëndetësi më efikase. Ai gjithashtu do të angazhohet që të mbrojë sovranitetin e vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat