Vlora Dumoshi “pa përgjigje” nëse do të marrë pjesë në seancën për votimin e Vjosa Osmanit për Presidente

Aktuale

Vlora Dumoshi “pa përgjigje” nëse do të marrë pjesë në seancën për votimin e Vjosa Osmanit për Presidente

Më: 1 prill 2021 Në ora: 16:11
Vlora Dumoshi

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditë më parë pasi takoi grupin parlamentar të partisë tha se pret që të gjithë deputetët e subjektit që udhëheq ta respektojnë vendimin e Kryesisë që të qëndrojnë në sallë ditën kur votohet presidenti.

Përkundër të këtij qëndrimi të partisë, ka disa deputetë të LDK-së që ende nuk kanë vendosur nëse do ta respektojnë apo jo atë.

E një nga ata që nuk ka vendosur ende nëse do t’i binden vendimit të kryesisë për të marrë pjesë në seancën e votimit të Presidentit të ri të vendit, është Vlora Dumoshi.

Gazeta ka kontaktuar të enjten me të për ta pyetur se cili do të jetë qëndrimi i saj.

“Nuk kam përgjigje”, ka thënë shkurt Dumoshi, duke e mbyllur telefonin pastaj.

Media ka mësuar edhe disa detaje nga mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së të mbajtur ditë më parë, ku pjesë është edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, njëherit deputet.

Burime brenda LDK-së kanë thënë për Gazeten se Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, ja kanë bërë të qartë kryetarit Abdixhiku se nuk do të marrin pjesë në votim për presidentin, post të cilin po synon ta marrë ish-bashkëpartiakja e tyre, Vjosa Osmani.

Kujtojmë se ende nuk është caktuar dita se kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.

Ajo që dihet deri tani është se nesër do të mbahet seancë e rregullt ku do të votohet për funksionalizimin e komisioneve kuvendare, si dhe zëvendësimi i deputetëve.

Ndryshe, për të qenë votimi i suksesshëm në kuti të votimit duhet të jenë 81 vota të deputetëve, kurse për t’u zgjedhur në raundin e parë duhet po 81, kurse në raundet e tjera mundet dhe me 61 vota.

Kujtojmë se PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bërë të ditur prej kohësh qëndrimin duke thënë se nuk do ta votojnë Osmanin për Presidente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat