​Osmani nderon Presidentin Rugova: Mbështetja që siguroi janë bazament për shtetin

Aktuale

​Osmani nderon Presidentin Rugova: Mbështetja që siguroi janë bazament për shtetin

Më: 6 prill 2021 Në ora: 13:42
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 14:45) - Osmani: Të pagjeturit, prioritet numër një në dialogun me Serbinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e të pagjeturve duhet të jetë prioriteti numër një në dialogun me Serbinë. Sipas saj, të pagjeturit janë akoma plagë e hapur për Kosovën dhe dhimbje e madhe për të gjithë.

Këto komente shefja e shtetit i bëri sot derisa bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh tek Memoriali i të pagjeturve në Prishtinë. Aty ajo u mirëprit nga qytetarët të cilët edhe e duartrokitën dhe i uruan suksese në postin si presidente e Kosovës të cilin edhe e mori sot zyrtarisht.

Osmani tha se përderisa nuk ka drejtësi për të gjitha viktimat e luftës vështirë është të paramendohet paqja.

Zbardhja e fatit të të pagjeturve sipas saj duhet të jenë angazhim i përditshëm për secilin.

Osmani: Të pagjeturit prioriteti numër një në dialogun me Serbinë

“Kosova i ka ende plagët e hapura, përderisa nuk ka drejtësi për të gjitha viktimat që në mënyrë aq mizore qoftë iu morë jeta, apo u morën peng nga Serbia e akoma janë të pagjetur, përderisa nuk ka drejtësi për ta është e vështirë të paramendohet paqja. Të pagjeturit të cilët u zhdukën me dhunë u morën peng me dhunë nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë janë dhimbja jonë më e madhe, janë plaga akoma e hapur që krijojnë domosdoshmërinë që secili prej nesh ta kemi prioritetin më të lartë zbardhjen e fatit të tyre. Prandaj, jo vetëm që ky duhet të jetë prioriteti numër një ndërmjet dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por në anën tjetër duhet të jetë angazhim i çdo ditshëm institucional i secilit prej neve. Sepse përtej politikës e kemi obligim moral dhe njerëzor, sepse përtej politikës Kosova nuk do të mund të ec përpara derisa i kemi edhe 1600 familje që çdo ditë e ndjejnë dhimbjen dhe mungesën e më të dashurve të tyre”, tha ajo.

Me një ceremoni shtetërore sot Vjosa Osmani mori edhe zyrtarisht detyrën si presidente e Kosovës. Ajo ka zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë ditës ku ka bërë homazhe tek varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova pastaj ka vizituar edhe Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë. 

***

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu bëri homazhe për të nderuar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

Ajo pranë varrit të tij tha se mbështetja dhe miqësitë qe ai siguroi për Kosovën edhe sot janë bazament i fuqishëm për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Osmani: Nderoj veprën e arkitektit të shtetit të Kosovës

“Jam këtu që me rastin e marrjes së detyrës të nderoj veprën dhe kujtimin e arkitektit të shtetit dhe të pavarësisë së vendit tonë, presidentin historik dr. Ibrahim Rugova i cili siç e thash edhe në ditën e betimit tim si presidente në Kuvend ai i ka dhënë politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human dhe njëkohësisht ka arritur që Kosovën dhe sakrificën e popullit të saj ta bëj të njohur në të gjithë botën. Mbështetja që ai siguroi për vendin tonë, miqësitë që ai siguroi për shtetin tonë, akoma janë ndër bazamentet më të fuqishme të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të demokracisë qe ende jemi në ndërtim e sipër”, tha ajo.

Ndryshe, Osmani sot ka pranuar zyrtarisht detyrën me një ceremoni të organizuar paraditen e sotme, ndërsa po vazhdon edhe me homazhe. 

***

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Gjatë një deklarimi para mediave, shefja e shtetit tha se është e lumtur që ka filluar procesi i vaksinimit dhe se gjithçka po shkon në mënyrë shembullore.

“Dua t`i falënderoj gjithë secilin nga stafi mjekësor të cilët po e organizojnë këtë proces në mënyrë kaq të mirë, të cilët angazhohen në procesin e regjistrimit, ndihma e shpejte, mjekët dhe motrat të cilët merren drejtpërdrejtë me procesin e vaksinimit. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë t’i respektojmë masat, maskën dhe distancën dhe higjienën të cilat janë masat më të mira për të na mbrojtur nga kjo pandemi”.

“U informova lidhur me regjistrimin edhe të personelit shëndetësor dhe qytetarëve mbi moshën 80 vjeçare, inkurajoj gjithë secilin që sa më parë të jetë e mundur ta kryejnë vaksinimin. Për fat të keq numri i vdekjeve dhe infeksioneve është i madh sepse kjo vala e tretë e ka përshkruar Evropën dhe me gjerë, duhet kujdes më i madh që ta mbrojmë veten dhe njëri- tjetrin”, tha Osmani.

Ndër të tjerash, Presidentja tha se janë duke punuar me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që sa më parë të vijnë edhe kontingjentet e ardhshme të vaksinave dhe siguroi se puna dhe angazhimi nuk do të mungojë në asnjë moment.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat