Deputetja e PDK-së: Osmani ngurroi ta përmend rolin e ish-presidentit që po gjykohet për fatin e Kosovës

Aktuale

Deputetja e PDK-së: Osmani ngurroi ta përmend rolin e ish-presidentit që po gjykohet për fatin e Kosovës

Më: 14 prill 2021 Në ora: 18:18
Vjosa Osmani

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se presin që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të raportojë në Kuvendin e Kosovës për takimin e Këshillit të Sigurimit.

Ajo ka thënë se për opozitën është e rëndësishme që elementet e shtetit dhe rendi demokratik të mos minohet nga qeveria e re.

“Unë besoj që znj.Gërvalla do të jetë në Parlament për të raportuar për takimin e KS-së. LVV-ja dhe ndryshimi që e kanë proklamuar sapo ka ardhur. Për ne është e rëndësishme që elementet e shtetit, rendi demokratik e krejt ajo që është arritur deri më tani të mos minohet”, ka thënë Deliu-Kodra në “Frontal”.

Deputetja e PDK-së foli edhe për deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit, e ku sipas saj, presidentja nuk e ka përmendur fare rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Dje znj.Osmani kishte takim me gjithë presidentet dhe ngurroi që të përmend rolin, angazhimin e njërin prej presidentëve që gjendet në Hagë dhe po gjykohet për fatin e Kosovës. Unë mendoj që qytetarët na njohin secilin prej nesh. Kjo nëpërkëmbje e e simboleve dhe historisë së Kosovës nuk i bën mirë Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera ajo tha se është tentativë e gabuar e presidentes Osmani, mos përmendja e UÇK-së.

“UÇK-ja është bazamenti i shtetit të Kosovës. Çdo tentativë që këto vlera të minohen dhe të mos përmenden dhe tentativa që të krijohen vlerat e reja janë tentativë e gabuar e presidentes që për ne nuk është e denjë për këtë pozitë”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat