Tahiri i LDK-së thumbon VV-në: Nuk shoh përfitime për Kosovën nga përfshirja në fushatën në Shqipëri

Aktuale

Tahiri i LDK-së thumbon VV-në: Nuk shoh përfitime për Kosovën nga përfshirja në fushatën në Shqipëri

Më: 14 prill 2021 Në ora: 20:33
Xhafer Tahiri

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e ka komentuar përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që do të mbahen në Shqipëri.

Tahiri, deklaroi se Kosova ka probleme mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë interes për vendin përfshirja e partisë qeveritare në zgjedhjet në Shqipëri.

“A nuk kemi mjaft probleme në Kosovë që me u marrë e me i zgjedhë problemet tona? Mendoj që kemi kaq shumë probleme në Kosovë – kemi pandeminë që duhet ta luftojmë, kemi sigurimin e vaksinave që duhet të jetë prioritet i përditshëm i secilit bartës të institucioneve – ndërkohë që fushatat elektorale duhet të jenë për ata që janë të involvuar në ato fushata elektorale”.

“Çfarë do të ndodhte tani sikur të shkonim të gjithë ne atje dikush të përkrahte PD-në e dikush tjetër PS-në, çfarë do të arrihej me këtë në Shqipëri?”.

“Çfarë do të ndodhte sikur LDK-ja që ka simotër PD-në dhe partitë e qendrës së djathtë, çfarë do të ndodhte sikur ne të dyndeshim në Shqipëri në fushatë elektorale edhe PDK-ja të shkonte ta përkrahte PS-në dhe njësoj të vepronin edhe partitë tjera, atëherë kush do të mbeste në Kosovë dhe çfarë do të arrinim me këtë? Nuk shoh ndonjë përfitim për Kosovën nga involvimi në fushatën elektorale në mënyrë zyrtare të një kabineti qeveritar”.

Tahiri foli edhe për refuzimin që i bëri kryeministri Albin Kurti rreth vaksinave kineze kundër COVID-19 kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Nuk do të doja të përzihesha në raportet e çrregullta të dy kryeministrave shqiptarë. Do të doja që të kenë raporte të mira mes vete në funksion të integrimeve ndërshqiptare, por edhe në funksion të bashkëpunimit më të mirë të dy shteteve tona”.

Tahiri tutje tha se Kurti duhet të punojë në sigurimin e vaksinave që janë të sigurta për qytetarët dhe se po të vepronte kështu gjendja do të ishte më e mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat