"Kishte sjellë para për UҪK-në në Shqipëri, por u zhdukë pa gjurmë pas takimit të fundit me Hashim Thaçin"

Aktuale

"Kishte sjellë para për UҪK-në në Shqipëri, por u zhdukë pa gjurmë pas takimit të fundit me Hashim Thaçin"

Nga: H.O. Më: 18 prill 2021 Në ora: 21:22
Hashim Thaçi

Opinionisti dhe njohësi i ҫështjeve politike që jeton dhe vepron në Amerikë, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot” ka folur detajisht për vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së të njohura si vrasjet politike.

Maxharraj thotë se këto vrasje ishin planifikuar qysh në Shtabin e Rognerit, ku ‘komandantët’ e luftës likuidonin secilin që u dilte përpara.

“Ndarja e këtyre forcave ishte e pranishme, që me shumë i ngjasonte një luftë për pushtet dhe se kush u dilke përpara e pësonte. Kështu, gjatë luftës filloi likuidimi i atyre që e kundërshtonin Shtabin e Rognerit. Keq e pësoi gazetari i luftës, i cili raportonte për luftën, për mediat e jashtme Ali Ukaj, një cimer i Hashim Thaçit, i cili u zhduk dhe sot e kësaj dite nuk i dihet fija. Kështu ndodhi edhe me kolonelin Ahmet Krasniqi, komandant i FARK-ut nga frika e luftës për pushtet, organizatorët e kësaj vrasje dyshohet se janë anëtarët brenda Shtabit të Rognerit me ndihmën edhe të mbeturinave të enverizmit të mbetur në pushtet siç janë Fatos Nano e sidomos Fatos Klosi i cili e drejtonte SHISH e Shqipërisë që as zogu kur fluturonte nuk e linte pa e ditë”, thekson Maxharraj.

Maxharraj ka përmendur edhe themelimin e SHIK-ut ilegalisht që kishte bashkëpunim me Shtabin e Rognerit. Ai përmend edhe zhdukjen pa gjurmë të Sadri Ramҫaj, për të cilin flitet se në takimin e fundit ishte me Hashim Thaҫin.

“SHIK-u i Kosovës u themelua ilegalisht po nga SHISH-i i Shqipërisë në krye me Fatos Klosin. Ky ishte në bashkëpunim të thellë me Shtabin e Rognerit. Gjatë kësaj kohe u zhduk pa gjurmë po në Shqipëri vendasi im Sadri Ramçaj i cili kishte sjellë para për UÇK-në. U rrëmby pa gjurmë me vete i kishte edhe 300 mijë marka për nevojat e Ushtrisë Çlirimtare. U zhdukë pa gjurmë që as sot e kësaj dite nuk dihet gjë për të. Flitet se takimin e fundit e ka pas me Hashim Thaçin. Pra, gjatë luftës u zhdukën edhe shumë figura tjera që spo i përmendi vetëm pse ishin pjesëtarë nga radhët e LDK-së”, thotë Maxharraj.

Sipas tij, UÇK-ja e ndihmuar edhe nga forcat e NATO-së e fitoi luftën në qershor 1999 kur po hynin në Kosovë së bashku me ushtarët e UÇK-së. Ashtu siç i kishin bërë planet komandantët e Shtabit të Rognerit ia mësyen Kosovës për ta kap pushtetin në emër të UÇK anipse shumë prej tyre as që e kishin parë luftën me sy, por me ndihmën e mbeturinave të enverizmit e morën pushtetin me dhunë.

“E formuan të ashtuquajturën Qeveri e përkohëshme në krye me Hashim Thaçin. Periudha e kësaj qeverie ishte shumë e errët, njerëzit u dëshpëruan, erdhi një farë lirie e frikësuar jo e plotë, lirinë e popullit i cili po kthehej në mënyrë publike nga jashtë që ishte dëbuar gjatë luftës nga forcat serbe, ua rrëmbyen komandantët të cilët e kërkonin haraqinë e vetë në emër të UÇK-së. Në vend se populli ta gëzonte lirinë atë nisi të kapë paniku, frika nga njerëzit që silleshin me maska e pa maska ditën e natën, kishte edhe shumë asish me mjekrra që ishin inflirtuar nga jashtë në Kosovë përmes kanaleve të ndryshme. Njerëzit filluan të humbasin, rrëmbeheshin nga maskat pa kurrfarë gjurme, natën por edhe në pikë te ditës, sidomos ata që ishin në LDK apo simpatizues të Ibrahim Rugovës”, thotë ai.

Maxharraj thotë se ‘në këtë kohë të mbuluar me errësirë të plotë mediatike thuhet se humbën apo u rrëmbyem nga maskat shumë qytetarë e sidomos bashkëpunëtorë të afërtë të Ibrahim Rugovës’.

“Siç thotë analisti ynë i spikatur Idriz Zeqiraj se gjatë kësaj kohe thuhet se janë rrëmbyer mbi 1600 qytetarë qe sot e kësaj dite nuk u dihen gjurmët, kurse më së shumti kishte nga LDK. Mendohet se për shkaqe politike janë vrarë mbi 120 anëtarë të LDK dhe bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës, shumë prej tyre të vrarë e masakruar në mënyrë barbare. Kështu vritet para shtëpisë dhe para syve të familjarëve bashkëpunëtori i Rugovës Xhemail Mustafa, vritet para pragut të shtëpisë së vetë në Prizren komandanti Ekrem Rexha, rrëmbehet në Istog Shaban Manaj kryetari i LDK dhe bashkëpunetor i I.Rugoves i cili pas disa ditësh gjendet i vrarë dhe i karbonizuar në malet e Drenicës, rrëmbente nga shtëpia mësuesi Haki Ymeri në Drenicë (mësuesi i Hashim Thaҫit) vetëm pse ishte në LDK. Për ironinë e fatit Haki Ymeri gati 18 vjet pas vrasjes shpallet heroi i Kosovës. Vritet deputeti dhe komandanti nga Rugova Smail Hajdaraj, e shumë e shumë të tjerë. Është i gjatë shumë i gjatë kalvari i vrasjeve politike, sidomos pas luftës që konsiderohen si vrasje politike vetëm pse i përkisnin LDK-së”, thotë Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat