Abdixhiku përkujton Ismet Rracin, në 20 vjetorin e vrasjes së tij

Aktuale

Abdixhiku përkujton Ismet Rracin, në 20 vjetorin e vrasjes së tij

Më: 24 prill 2021 Në ora: 14:55
Ismet Rraci

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka përkujtuar veprimtarin dhe themeluesin e Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin, në 20 vjetorin e vrasjes së tij.

“20 vite më parë, dora vrastare e shoi jetën e njeriut i cili nuk u ndal asnjëherë në përpjekjen për lirinë e pavarësinë e vendit të tij. Nga ajo ditë, Klina dhe e tërë Kosova humbi veprimtarin, intelektualin dhe atdhetarin e respektuar, njëherësh thelemuesin e Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tha se Ismet Rraci, një intelektual i rrallë, ishte besnik dhe guximtar, veprimtar i devotshëm i cili në kohëra të vështira dha shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Me natyrën e tij prej atdhetari të çmuar, u bë zë i kërkesës së qytetarëve të Klinës për një të ardhme më të ndritur të popullit dhe vendit të tij”.

Abdixhiku tha se ai u vra, tinëzisht pasi shënoi fitore në Klinë dhe u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën LDK-së, Klinës dhe as Kosovës.

“Ismet Rraci, përherë do të kujtohet nga Lidhja Demokratike dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës në vecanti të Klinës, për guximin intelektual e qytetar, trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund.

Veprat e atdhetarit Ismet Rraci mbeten shëmbëlltyrë për të gjitha gjeneratat, se si duhet punuar për atdheun. Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Rracit”, ka shkruar Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat