Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka reaguar pas kritikave të partive opozitare për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore në Kosovë.
Abazi tha se problem me sistemin energjetik dhe sistemin e shpërndajes në komunat veriore të Kosovës, daton që nga marrëveshja e Brukselit për sistemin energjetik të nënshkruar me 25 gusht 2015.
“Ata që janë pajtuar dhe kanë lejuar që për 20 vite të paguajnë faturat e Serbëve në veri janë poashtu bashkëpronarët e aktiviteteve ilegale atje dhe kyçjeve të depozitave të kryptovalutave në very”, shkroi Abazi në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Problemi me sistemin energjetik dhe posaçërisht me sistemin e shpërndarjes e ka zanafillën në privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike që ishte arsyetuar edhe me shtrirjen e kontrollit në veri, dhe marrëveshja e Brukselit për sistemin energjetik të nënshkruar me 25 Gusht 2015.
Zgjidhja është e thjeshtë: Kompania turke që ka privatizuar është pronare e aseteve dhe gjithashtu përgjegjëse për faturimin e dhe realizimin e pagesave në veri dhe çfarëdo pengimi për të kryer punën e vet e hap rrugën për të adresuar çështjen se pse Serbia nuk e lejon punën e KEDS në veri. Deri sot kjo nuk është bërë!
Ata që janë pajtuar dhe kanë lejuar që për 20 vite të paguajnë faturat e Serbëve në veri janë poashtu bashkëpronarët e aktiviteteve ilegale atje dhe kyçjeve të depozitave të kryptovalutave në veri.