A ju kujtohet afera “Pronto”? Ja çka ka ndodhur me këtë skandal

Aktuale

A ju kujtohet afera “Pronto”? Ja çka ka ndodhur me këtë skandal

Më: 1 maj 2021 Në ora: 08:26
Adem Grabovci

Në korrik të vitit të kaluar Gjykata e Apelit kishte marrë vendim me të cilin e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale,  dhe vendimin lirues të Gjykatës së Prishtinës e kishte ndryshuar në dënues për Adem Grabovcin, Ilhami Gashin e Sadat Gashin.

Lajmin për kthimin e rastit në rigjykim në Gjykatën e Apelit e ka konfirmuar mbrojtësi i Adem Grabvcit, Florent Latifaj.

Në rastin ‘Pronto’ deri më tani ishin marrë dy vendime, njëri lirues nga gjykata e shkallës së parë më 3 janar 2020, dhe njëri dënues nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit, më 1 korrik 2020, e kishte ndryshuar vendimin lirues të shkallës së parë për të akuzuarit Adem Grabovci, Ilhami Gashin e Sedat Gashin duke i dënuar me kusht. Më pas, ankesat ndaj këtij vendimi lëndën e dërguan në Gjykatën Supreme për të prishur vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit, të akuzuarit i kishte dënuar me dënim me kusht dhe dënime plotësuese si në vijim.

Adem Grabovcit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 2 muajve burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk do të kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi ishte dënuar, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Në çështje tjera (pika I, IV, V, VI, VII, VIII, IX e dispozitivit) ankesa e prokurorisë ishte refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është vërtetuar, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Fjala “Pronto” ishte bërë e famshme në vitin 2014, menjëherë pasi që rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë, krysisht nga PDK u dëgjuan duke biseduar në mes vete.

Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ishte protagonisti kryesor në aktakuzën e Prokurorisë.
Grabovci ishte përgjuar teksa bisedonte me një numër të madh të zyrtarëve të shtetit ndër ta edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin.

Në këto biseda telefonike Adem Grabovci dëgjohej tek bisedonte në lidhje me punësime dhe emërime të ndryshme nëpër borde e pozita shtetërore.

E ndonëse në këto përgjime, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dëgjohet që flet më së shumti, ai përballë Gjykatës kishte vendosur që të mbrohej në heshtje.

Pas 12 seanca gjyqësore, 455 ditëve, ose 1 viti e 2 muajve e 29 ditëve, pas ngritjes së aktakuzës, me vendimin e tre janarit të Gjykatës së Prishtinës, të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës, reagim kishte pasur nga prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ishte shprehur e zhgënjyer me vendimin për lirimin e 11 të akuzuarve.

 “Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashtë së paku me dhënë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, kishte thënë prokurorja Hajdari.

Ajo kishte shprehur shqetësimin se ky nuk ishte rasti i parë ku të fuqishmit e politikës i shmangeshin drejtësisë.

“Për fat të keq ky nuk është rasti i parë në të cilin njerëz të fuqishëm nga politika apo rrethi i tyre i shmangen drejtësisë”, kishte thënë Hajdari.

Ndërsa pas ankesës së Prokurorisë së ushtruar në Gjykatën e shkallës së dytë, kjo Gjykatë kishte vendosur që në disa pika ta ndryshonte aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Grabovci i cili në nëntë raste u akuzua për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve në korrik të këtij viti u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për dy punësime të kundërligjshme, pasi paraprakisht ishte liruar nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës.

Sipas Apelit, ai kishte krijuar privilegje në baza të përkatësisë politike në punësimin e Blerim Camajt dhe Afrim Dautit.

Bashkë me Grabovcin, me vendimin e Gjykatës së Apelit u dënuan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi dhe këshilltari politik Sadat Gashi.

Adem Grabovci ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, Ilhami Gashi me një vit e katër muaj, ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim.

Tre të dënuarit nuk do të shkonin në vuajtje të dënimit në rast se brenda 2 viteve nuk do të kryenin ndonjë vepër tjetër penale.

Zyrtarët e tjerë, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajazitaj, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi u liruan nga akuza pasi që Gjykata vlerësoi se përgatitja për të kryer këtë vepër penale nuk është e dënueshme sipas ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat