Shefja e imunizimit lavdëron procesin e vaksinimit: “Vazhdimisht do të ketë furnizim me doza të tjera”

Aktuale

Shefja e imunizimit lavdëron procesin e vaksinimit: “Vazhdimisht do të ketë furnizim me doza të tjera”

Më: 13 maj 2021 Në ora: 10:13
Edita Goranci

Shefja e imunizimit në IKSHPK, Edita Goranci, deklaroi se procesi i vaksinimit antiCOVID po shkon në rregull dhe se ka shumë qytetarë që janë të interesuar për këtë proces.

E intervistuar gjatë programit të mëngjesit, ajo tha se gjatë ditës së djeshme në sallën 1 Tetori në Prishtinë kishte fluks të madh të qytetarëve për shkak të keqinformimit, sepse siç tha, secilit qytetar I takon të vaksinohet nëpër QMF-të e rajoneve ku jetojnë.

“Momentalisht janë duke u vaksinuar moshat 65-75 vjeçare. Kosova është furnizuar me dy lloje të vaksinave – Astra Zeneca dhe Pfizer”.

“Interesimi është mjaft i madh i qytetareve, rreth 30 mijë doza të vaksinës janë distribuar dhe vazhdimisht do të ketë furnizim me doza të tjera”.

Ajo u shpreh se personat që në momentin janë të sëmurë me COVID nuk duhet të vaksinohen.

“Mund të vaksionohen pasi janë shëruar dhe e kanë kaluar sëmundjen, p.sh. dy javë pasi janë shëruar dhe nuk kanë simptoma”.

“15 minuta pasi e merr vaksinën, është procedura e përcjelljes nga stafi shëndetësor. Nëse personi ka pak alergji paraprake ndaj çfarëdo reagence, atëherë përcillet 30 minuta pasi e merr vaksinën”.

“Zakonisht tek disa pacientë gjatë 24-48 orëve paraqiten efektet e lehta anësore. Në rast se ka efekte të rënda, të lajmërohet te mjeku më i afërt familjar. Efektet e lehta janë temperature, ethet,  kokëdhimbje, pra si një gjendje e lehtë e gripit. Ndërsa efektet e rënda llogariten kokëdhimbja e papërballueshme, pika të kuqe rreth vendit të vaksinimit, dhimbjet abdominale të papërballueshme, etj.”

Dr. Goranci inkurajoi të gjithë që të vaksinohen, duke thënë se personi që është i vaksinuar ka mundësi deri në 95% që të mos sëmuret nga COVID-19 ose të kalojë një formë shumë më të lehtë të sëmundjes.

“Një vaksinë e shpëton jetën”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat