Kosova me më së shumti martesa dhe me më së paku divorce në Evropë

Aktuale

Kosova me më së shumti martesa dhe me më së paku divorce në Evropë

Më: 14 maj 2021 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Agjencia evropiane e statistikave “Eurostat” ka publikuar të dhënat e fundit mbi martesat bazuar në numër të banorëve për shtetet e BE-së dhe për shtetet tjera të kontinentit evropian.

Sipas këtij publikimi, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka numrin më të lartë të martesave, me 9.8 martesa në 1.000 banorë, e pasuar nga Shqipëria me 7,9.

Kosova gjithashtu ka shkallën më të ulët të divorcit, 0.5 për 1.000 banorë kurse Shqipëria më të lartën (2.1).

Serbia, në anën tjetër, ka shkallën më të ulët të martesave në Ballkanin Perëndimor, ndërsa numri i divorceve, si dhe i fëmijëve të lindur jashtë martese, po rritet në venin fqinj.

Me 5.1 martesa për 1.000 banorë, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, Serbia ka megjithatë një normë më të lartë martese se mesatarja e BE-së, por është më e ulëta midis vendeve në rajon.

Në gjysmën e shekullit të fundit, shkalla e martesave në vendet e BE-së është përgjysmuar, nga tetë martesa për 1.000 banorë në 1964 në 4.3 martesa për 1.000 banorë në 2019, njoftoi “Eurostat”-i më 13 maj.

Në të njëjtën kohë, shkalla e divorcit është dyfishuar në vendet e BE-së, nga 0.8 në 1.8 divorce për 1000 banorë.

Numri më i lartë i martesave në lidhje me popullsinë është në Qipro (8.9 për 1.000 banorë), Lituani (7), Letoni dhe Hungari (6.7) dhe Rumani (6.6). Pas tyre janë Sllovakia, Danimarka dhe Malta.

Në Itali (3.1), Portugali dhe Slloveni (3.2), Francë, Spanjë dhe Luksemburg (3.5).

Lituania dhe Letonia, së bashku me Luksemburgun, janë gjithashtu vendet me shkallën më të lartë të divorcit (3.1), pasuar nga Qipro (2.6) dhe Suedia (2.5).

Qytetarët e Maltës dhe Irlandës (0.7 shkurorëzime për 1.000 banorë), Sllovenisë (1.2), Italisë (1.4) dhe Kroacisë (1.5) kanë më pak gjasa të vendosin të divorcohen.

Gjatë vitit 2019, një total prej 1.9 milion martesash u lidhën në BE, dhe vlerësohet se kishte 0.8 milion divorce.

Në dekadat e kaluara, ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve të lindur jashtë martese.

Në Serbi, 26.9 për qind e fëmijëve kanë lindur jashtë martese në 2019, gjashtë për qind më shumë se në 2000.

Në Kosovë, përqindja e fëmijëve të lindur jashtë martese ka rënë nga 40.3 për qind në 2010 në 35.6 për qind në 2019.

Në vendet e BE-së, që nga viti 1993, kur të dhënat e para ishin në dispozicion, 17.7 për qind e fëmijëve kanë lindur jashtë martese, dhe në vitin 2019, 42.7 për qind.

Në disa vende të BE-së, përfshirë Francën, Bullgarinë, Slloveninë e Portugalinë, më shumë fëmijë kanë lindur jashtë martese sesa në bashkimet martesore.

Nga ana tjetër, në Greqi, 87 për qind e fëmijëve kanë lindur në martesa, dhe në Turqi, kjo përqindje është deri në 97.2 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat