​Pa tollovi e fluks të madh të qytetarëve vazhdon vaksinimi në sallën “1 Tetori”

Aktuale

​Pa tollovi e fluks të madh të qytetarëve vazhdon vaksinimi në sallën “1 Tetori”

Më: 15 maj 2021 Në ora: 08:50
Salla 1 Tetori

(E plotësuar 11:22) - Për dallim nga dje, sot pritjet nuk ishin të gjata për vaksinim. Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, patën mundësi të vaksinohen vetëm ata të cilët janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Të shtunën në mëngjes nuk pati tollovi të qytetarëve, ndërkohë që pati të tjerë të cilët nuk arritën të vaksinohen, meqë nuk kanë ditur se duhet të aplikojnë.

Pa fluks të madh të qytetarëve, brenda qendrës së vaksinimit në Prishtinë lejohen vetëm personat e moshuar të cilat janë regjistruar në e-Kosova e më pas telefonuar nga Ministria e Shëndetësisë.

78 vjeçari, Faik Vitia kishte aplikuar para dy apo tri jave, por që mbrëmë është kontaktuar për vaksinim në termin të caktuar.

Image

Vitia: Kam aplikuar për vaksinim para dy jave

“Kam aplikuar para dy jave apo tri ashtu. Nuk e shoh të rrezikshme sa po flitet, por nuk është as aq e dobishme. Por, pasi thotë një fjalë popullore ‘me krejt dynjanë’, edhe unë po i përshtatem shumicës. InshAllah kalon sa më shpejt edhe çlirohemi prej kësaj”, thotë Vitia.

Edhe vet kishte provuar ditëve të fundit të vaksinohet, por që pasi kishte parë tollovinë ishte kthyer.

Vitia: Nuk është e thënë që me bo turr ashtu

“Është qëllimi që me popull tonë është shumë zor me dirigjuar. Se nuk është aq e thënë me bo turr ashtu. Se unë kam mundur me ardh por kur e pash situatën edhe jam kthyer. Duhet me pas durim”, shton ai.

Për Faik Ibishin, i cili është 77 vjeçar, kishte aplikuar djali dy ditë më parë. Ai mbrëmë ishte kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë që sot do të ketë mundësinë në orën 10:00 për vaksinim.

Ibishi: Dje qysh e pash në televizor, sot mirë

“Dje qysh e pash në televizor, sot mirë... thash me siguri e kanë rregulluar gjendjen se dje për besë nuk e di qysh kanë vepruar... Unë kam qenë i interesuar me marrë edhe jam, nuk kam kurrfarë frike ne për vjet i marrim për grip. Por, më mirë me marrë e mos me pas telashe njeriu se gjithë atë vesin se po ma ngjet dikush, a po ja ngjes dikujt”, tregon Ibishi.

Pati edhe të tjerë të cilën nuk patën mundësi për vaksinim. 69 vjeçari nga Prishtina, Selatin Shala tregon për KosovaPress se nuk ishte në dijeni se duhet të aplikojë përmes platformës online.

Shala: Nuk kam aplikuar se nuk e kam ditur ku

“Dje, pardje, tollovi e sene thash për numër, po më thanë jo se duhet vetëm për qasjes më rrjet me këta me u marrë vesh, me të thirr. Nuk kam aplikuar se së pari nuk e kam ditur as ku e qysh. Edhe e dyta kjo është se më thanë me numër, vjen e merr numrin edhe sipas numrit vjen paraqitesh. Por edhe kjo nuk është bash me një vend në Prishtinë është e madhe, shumë gabim i madh është kjo”, thekson ai.

Në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në qendrën e vaksinimit “1 Tetori”, mund të vaksinohen vetëm ata të cilët janë kontaktuar nga kjo ministri.

"Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla ‘1 Tetori’ – do të vaksinohen qytetarët, të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova, dhe sipas terminit të caktuar”, thuhet në njoftim.

Po kështu, vaksinimi do të bëhet edhe në komunat tjera përgjatë këtyre dy ditëve.

S’është si dje, sot gjithçka në rregull për vaksinim te Salla 1 Tetori 

Përkundër tollovive të krijuara dje në oborrin e Sallës 1 Tetori në Prishtinë, ndryshe duket pamja sot.

Rend dhe rregull është vendosur në pritje për t’u vaksionuar.

Fotografia është publikuar nga zyrtari për media i VV-së, Arlind Manxhuka.

Image

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kishte reagime të shumta nga opozita rreth tollovisë së krijuar në këtë vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat