Këtë vit, Ushtria e Malit të Zi nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin e KFOR-it në Kosovë për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi dhe kufizimet e buxhetit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi.
Kështu kanë shkruar mediat serbe.
Siç shpjegojnë mediat malazeze, kjo marrëveshje, e cila ishte planifikuar tashmë, u kundërshtua nga një prej drejtuesve të Frontit Demokratik, Milan Knezevic, i cili kërcënoi të paraqiste një interpelancë në Asamble kundër Ministres së Mbrojtjes Olivera Injac dhe Kryeministrit Zdravko Krivokapic.
Ministria e Mbrojtjes i tha mediave serbe se dy përfaqësues malazezë, një oficer i Ushtrisë dhe një civil nga Ministria, mbeten në mision në Kosovë, në mënyrë që, siç thonë ata, Mali i Zi të vazhdojë të kontribuojë në sistemin e mbrojtjes kolektive të NATO-së.