Jahjaga zbulon detaje rreth rastit të ngacmimit seksual

Aktuale

Jahjaga zbulon detaje rreth rastit të ngacmimit seksual

Më: 19 maj 2021 Në ora: 16:51
Atifete Jahjaga

Ndonëse është kërkuar që të mbahet në konfidencialitet rasti i ngacmimit seksual të vajzës 6-vjeçare, rast ky i cili u raportua gjatë vikendit, ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, përmes një statusi në Facebook, ka zbuluar detaje për të miturit e përfshirë në këtë rast.

Jahjaga derisa ka shkruar për pjesëmarrjen e saj në marshin e sotëm që u organizua nga nxënësit e tri gjimnazeve në Prishtinë, ka shkruar se ngacmimi seksual kishte ndodhur nga tre djem të klasës së 7 të shkollës “Faik Konica”

“Organizim ky si pasojë e ngacmimit seksual ndaj një vajze të mitur, vetëm 6 vjeçe, nga tre djemë të mitur të klasës së 7-të të shkollës Faik Konica - ngjarje kjo, e cila tronditi Kosovën! Të rriten djemtë dhe vajza në të njëjtën mënyrë e të barabartë brenda mureve të shtëpisë, të mos lejojmë djemtë t'i nënçmojnë motrat e tyre apo këdo tjetër, por t'iu mësojmë dashurinë dhe respektin! Dallimet mes fëmijëve në familje po shpërfaqen brenda hapësirave shkollore dhe kështu duke cënuar sigurinë për të gjithë tjerët. Andaj, ata duhen të trajtohen të barabartë në shtëpi dhe në shkollë. Uroj që kjo ngjarje të mbetet e fundit!”, ka shkruar Jahjaga.

Përndryshe shkolla “Faik Konica” në oborrin e së cilës dyshohet se kishte ndodhur ngacmimi seksual, asnjëherë deri më tani nuk ka konfirmuar se sa prej të miturve të përfshirë në këtë rast janë nxënës të kësaj shkolle.

Kjo shkollë përmes një njoftimi kishte kërkuar që rasti të mbahet më sa shumë konfidencial për shkak të ndjeshmërisë dhe moshës së të miturve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat