Njëri i akuzuar dënohet me 15 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen në Lipjan, tre të tjerët shpallen të pafajshëm

Aktuale

Njëri i akuzuar dënohet me 15 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen në Lipjan, tre të tjerët shpallen të pafajshëm

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 20:24
Seanca

Lidhur me akuzat se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet e 6 muaj burgim të akuzuarin Arian Agushi. Kurse tre të tjerët, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushi,i ka shpallur të pafajshëm.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Naser Fonqi, Arian Agushi është dënuar me 15 vjet e 6 muaj burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Ndërkaq për këto dy vepra penale, e para në bashkëkryerje, gjykata ka vlerësuar se tre të akuzuarit tjerë nuk janë fajtorë.

Siç tha gjykatësi Foniqi, i akuzuari Agushi është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arian Agushit i është vazhduar edhe masa e paraburgimit. Në dënimin e shqiptuar, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, prej datës 12 prill 2012.

I njëjti gjithashtu detyrohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 200 euro, si dhe 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Kurse, me aktgjykim i konfiskohet edhe arma e gjuetisë dhe një revole e tipit “Eko special”, të cilat thuhet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Ndërkaq, të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim dy herë dhe pas kthimit për herë të dytë, nga gjykatësja Shpresa Hasaj–Hyseni, rasti kishte kaluar tek gjykatësi Naser Foniqi.

Pas përfundimit të gjykimit të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2015, kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve, me ç’rast të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë, për veprat penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtjes pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Të njëjtit i kishte dënuar me rreth 38 vjet burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vjet burgim, Mentor Agushi me 14 vjet, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi ishin dënuar me nga 5 vjet burgim.

Aktgjykimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, mirëpo pasi lënda kishte shkuar në shkallën e tretë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallën e parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kthimit në rigjykim, në prill të vitit 2019 i kishte dënuar me mbi 41 vjet burgim të akuzuarit Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushi.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 15 prill 2019, nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, Arian Agushin ishte dënuar me 21 vjet burgim, Mentor Agushi me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarit Shpend dhe Xhezair Agushi, ishin dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim.

Ndërsa, Arian Agushi në mungesë të provave ishte liruar nga akuza për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të gjithë të akuzuarve për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte shqiptuar aktgjykim refuzues, pasi për këtë vepër prokurori Armend Hamiti, ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Por edhe ky aktgjykim ishte anuluar nga ana e Gjykatës së Apelit dhe lënda është kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2012, Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi, akuzohen se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij, kishin sulmuar të dëmtuarin Nuredin Demiri.

Sipas aktakuzës, me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohet se me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramadan Nuredinit, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Katër të pandehurit akuzoheshin edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve, ndërsa, Arian Agushi akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat