​Ramosaj: Nuk e kuptoj cili është motivi që të ndalet buxheti për rrugën Deçan-Plavë

Aktuale

​Ramosaj: Nuk e kuptoj cili është motivi që të ndalet buxheti për rrugën Deçan-Plavë

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 11:38
Bashkim Ramosaj

Festën e Ditës së Çlirimit të Deçanit, kryetari Bashkim Ramosaj ia ka dedikuar ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime të pretenduara të luftës. Në fjalimin e tij të mbajtur në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Deçanit, Ramosaj tha se nuk duhet harruar sakrifica e tyre për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Ramosaj: Ditën e Çlirimit të Deçanit ia dedikoj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë

“Dedikimin e kam për Nasim Haradinajn, këtë dedikim normal që e kam për Hashim Thaçin si themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Kadri Veselin, për Jakup Krasniqin, për Rexhep Selimin, dhe për Salih Mustafën, dhe për Pjetrin që sot ndodhen atje, që kanë qenë komandant, ushtarë, luftëtarë të këtij vendi, në destinim për lirinë dhe për shtetin”, tha Ramosaj.

Ramosaj tha se ka ende shumë punë për të arritur një shtet stabil e me subjektivitet ndërkombëtar, ashtu siç e meriton populli i Kosovës.

Duke folur për mirëqenien e qytetarëve të Deçanit dhe projektet për zhvillimin e kësaj komune, Ramosaj tha se nuk e di motivin e ndaljes së buxhetit nga Qeveria e Kosovës për përfundimin e projektit në Rrugën e Plavës, fshatin Belle e të tjera që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ramosaj: Cili është motivi që Deçanit i ndalet buxheti për rrugën Deçan-Plavë

“Tash jemi në kohën kur unë nuk e kam të qartë nuk e kuptoj, cili është motivi që Deçanit i ndalet buxheti për rrugën Deçan-Plavë, cili është motivi që Deçanit i ndalet buxheti për Belle, cili është buxheti dhe ku duhet me dalë kur ndahen buxheti për rrugën e qendrës, cili është motivi kur ndalen 18 fshatra kanalizimi i tyre ose 6 fshatrat andej që është një projekt tjetër, nuk po du me hy në detaje por ky qytet sado që është zor, ka për t’i bërë. Krejt në fund që mos me zgjatë shumë, nderim për të gjithë ata që e kanë ngul një gurë për këtë qytet, që e kanë bërë një sakrificë e një përpjekje për këtë qytet”, tha ai.

Deçanin e quajti qytet të revolucioneve.

Ramosaj: Jemi munduar të garantojmë një mirëqenie për gjitha familjet e kësaj komune

“Çka kemi ne si komune, si njerëz të këtij vendi, jemi munduar me mish e me shpirt që me pas të garantuar një mirëqenie për krejt familjet në këtë komune, që ketë qytet me destinu edhe për tjerët jo vetëm për vete, një qytet që ka dhënë shumë për kombin tonë, që i ka aksionet më të mëdha në bamjen e këtij shteti, në çlirimin e këtij shteti”, tha ai.

Për shënimin e Ditës së Çlirimit, Komuna e Deçanit ka ngritur sot flamurin në qendër te qytetit dhe përveç aktiviteteve kulturore, kryetari i komunës i shoqëruar nga kreu i partisë, Ramush Haradinaj, bëjnë homazhe në kompleksin e dëshmorëve në Gllogjan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat