​Ish-punëtorët e “Rilindjes” kërkojnë 20 përqindëshin dhe njohjen e stazhit të punës

Aktuale

​Ish-punëtorët e “Rilindjes” kërkojnë 20 përqindëshin dhe njohjen e stazhit të punës

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 13:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Ish-punëtorët e gazetës “Rilindja”, sot kanë protestuar para objektit të të tyre të dikurshëm, ish-pallatit të mediave për të kërkuar realizimin e 20 përqindëshit dhe njohjen e stazhit të punës.

Drejtori i gazetës “Rilindja”, Zeqir Bekolli duke kërkuar realizimin e këtyre kërkesave, theksoi se në vazhdimësi janë duke u injoruar nga institucionet përkatëse për ndarjen e 20 përqindëshit dhe njohjen e stazhit të punës.

Bekolli tha se e drejta e tyre për kompensim vetëm për pallatin “Rilindja”, janë mbi 3 milionë euro, ndërsa për 20 përqindëahin nuk ka ndonjë shumë të caktuar.

Bekolli: Mohohet e drejta e punëtorëve, janë uzurpuar edhe pronat në Tiranë

“Në radhë të parë është mohimi i deritashëm i të drejtës së punëtorëve për marrjen e 20 përqindëshit. Po ashtu, pallati me 5 hektarë është marrë nga viti 2020. Po ashtu, një pasuri e madhe e gazetës “Rilindja”, i është uzurpuar edhe në Tiranë, të mos flasim për pajisjet dhe elementet që i ka pasur shtypshkronja të cilat janë marrë, shitur e stërshitur në vlera marramendëse”, theksoi ai.

Bekolli shtoi se për shkak të mosnjohjes së stazhit të punës, ish-punonjësit gazetës “Rilindja”, marrin vetëm 100 euro pension.

Bekolli: Kërkojmë edhe njohje e stazhit

“Kërkesa jonë e dytë përveç 20 përqindëshit është edhe kërkesa për njohjen e stazhit të punës. Punonjësit të cilët kanë punuar edhe gjatë kohës së okupimit, dalin në pension me 100 euro. Prandaj, kësaj radhe dëshirojmë që të tërheqim vëmendjen e opinionit publik dhe të institucioneve nëse mund t’i quajmë tonat, për faktin se këto në vazhdimësi i kanë diskriminuar dhe vazhdojnë edhe sot ta na injorojnë”, theksoi Bekolli.

Edhe përfaqësuesi tjetër i kësaj gazete, Agim Smakaj ka thënë se rreth 600 punëtorë presin 20 përqindëshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Smakaj: 600 punëtorë presin 20 përqindëshin

“Momentalisht në listat e AKP-së janë 600 punëtorë që e meritojnë 20 përqindëshin”, tha ai.

Përfaqësuesit e këtyre punëtorëve po ashtu theksuan se në vazhdimësi do të kërkojnë dhe protestojnë derisa të realizohen kërkesat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat