Vjosa Osmani për Nekibe Kelmendin: Dha shembullin e gruas së pathyeshme

Aktuale

Vjosa Osmani për Nekibe Kelmendin: Dha shembullin e gruas së pathyeshme

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 12:53
Nekibe Kelmendi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar në 10 vjetorin e vdekjes ish-nënkryetaren e LDK-së, Nekibe Kelmendi.

Osmani thotë se Kelmendi ishte njëra ndër intelektualet më të shquara të Kosovës dhe veprimtare e paepur për pavarësimin e Kosovës.

“Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik’ shkruan Osmani në Facebook.

Postimi i plotë:

Dhjetë vjet më parë kaloi në amshim znj. Nekibe Kelmendi. Ajo ishte njëra ndër intelektualet më të shquara të Kosovës dhe veprimtare e paepur për pavarësimin e vendit tonë.

Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës.

Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik.

Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës.

Sot Kosovës i duhen gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat