“Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga dialogu” - nga Italia vjen mbështetja e madhe

Aktuale

“Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga dialogu” - nga Italia vjen mbështetja e madhe

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 15:19
Pamje nga takimi

(E plotësuar 17:15) - Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio ka thënë se Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga dialogu me Serbinë, meqë sipas tij, ky proces vetëm sa do ta forcojë Kosovën ndërkombëtarisht.

Ministri italian ka folur sot në Prishtinë, pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Italia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje per eliminimin e tatimit të dyfishte sa i përket tatimit në të ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies.

Di Maio: Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga dialogu

“Shpresojmë të punohet për pajtimin në mes të rajonit dhe në ketë aspekt ia paraqita ministres vizionin e Italisë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sepse këtu kemi të bëjmë me stabilitetin më Ballkan dhe Sigurinë në Evropë, ashtu qysh i kemi inkurajuar serbët edhe Kosovën e inkurajojmë që të vazhdohet para dhe në mënyrë konstruktive dhe në një frymë të hapur për të pasur një rezultat konstruktiv që është një projekt ambicioz, por i arritshëm nëse ka vullnet politik. Lehtësimi nga ana e BE-së dhe mbështetja e fortë nga SHBA është mundësi e madhe historike për të dy vendet. Kosova nuk ka asgjë që të ketë frikë nga dialogu, përkundrazi do të shpërbejë vetëm në forcimin e saj të statusit në nivel ndërkombëtar”, tha ai.

Di Maio ka inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve rajonale për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe shërbimeve.

Di Maio: Liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt

“Rrugëtimi i reformave që Kosova duhet të ndërmarrë në anën tjetër është e domosdoshme edhe për të përafruar vendin me Bashkimin Evropian, Italia është plotësisht e bindur se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe do të vazhdojmë që zëri ynë të dëgjohet që konsiderohet në agjendë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës që shpresojmë që do të bëhet sa më shpejt”, tha ai.

Ndërsa lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në mes të ambasadorit të Italisë në Kosovë dhe ministrit të Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, ministri italian tha se kjo do të ndihmojë kompanitë italiane që të jenë më të pranishme në tregun e Kosovës dhe do t’u lejojë kompanive të Kosovës që shohin Italinë si bazë për ndërkombëtarizimin e tyre dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian.

Ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërval tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të kontribuojë për bashkëpunim ekonomik në mes të dy vendeve.

Gërvalla: Kosova dhe Italia me bashkëpunim të shkëlqyeshëm

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje të rëndësishme bilaterale do të kontribuojë për ta bërë bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Italisë shumë më pak burokratik dhe shumë më të lehtë, dhe do të kontribuojë për një mjedis edhe më të mirë, veçanërisht për investime të huaja direkte nga Italia në Kosovë. Kjo është vetëm një provë tjetër e bashkëpunimit tonë të shkëlqyeshëm dy palësh dhe ne po konsiderojmë të avancojmë bashkëpunimin duke hapur rrugën për marrëveshje të mëtejmë si njohja reciproke e patentë-shoferit, procesi i suksesimit, marrëveshjet për bashkëpunimin kulturor dhe më shumë. Padyshim që kemi diskutuar zhvillimet politike në Kosovë dhe veçanërisht luftën tonë kundër pandemisë”, tha ajo.

Pas takimit me Gërvallën, diplomati italian do të takojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

***

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim homologun italian, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio.

Pas takimit, ndërmjet dy kryediplomatëve do të nënshkruhet një marrëveshje, dhe pastaj të dy do të mbajnë një konferencë për medie.

Ministri italian do të takohet me krykuvendarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa na ora 17:30 ai do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.

***

 

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi di Maio mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Ndalesa e parë e kryediplomatit italian do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme ku do të takohet me ministrin Donika Gërvalla.

Në praninë e tij, do të nënshkruhet edhe një marrëveshje mes ministrit të Financave Hekuran Murati dhe ambasadorit italian në vendin tonë, Nicola Orlando. Ndërsa më pas, Gërvalla dhe Di Maio do të mbajnë një konferencë për media.

Kryediplomati italian do të ketë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Ndërsa na ora 17:30 ai do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat