Eksperti i sigurisë vjen me një paralajmërim: Aleksandër Vuçiq do të bëjë çmos për t’i…

Aktuale

Eksperti i sigurisë vjen me një paralajmërim: Aleksandër Vuçiq do të bëjë çmos për t’i…

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 23:13
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjithnjë Serbia me skenarët dhe dredhitë e saj është zgjeruar me territor, andaj edhe ka paralajmëruar për kujdes nga ky shtet.

“Bisedimet e filluara tani e një kohë që mund të themi që po stërzgjaten me dekada, ne si bashkëbisedues me Serbinë për njohje reciproke nuk e kemi këtë provojë të tanishme të shkurtë, provoja me ta është tepër e gjatë dhe në asnjë moment nga kur kemi filluar bisedimet me ta, çdoherë ishin biseda sa për sy e faqe nga ana e serbëve, edhe që nomenklatura më e hershme në krye me Hashim Thaçin, dinin t’ia bënin qefin vetit dhe ta mashtronin opinionin se Serbia e njohu pavarësinë e Kosovës, haptas me këto deklarime ata ia bënin qefin vetit dhe e mashtronin popullin sa për të mbetur sa më gjatë në pushtet, bile ato premtime i bënin sidomos kur vetë ata si përfaqësues të Kosovës bënin lëshime në favor të serbëve, sikur që është fusnota për Kosovën apo Asociacioni i komunave serbe e deri te propozimi i ndryshimeve të kufijve mes veti etj. Serbia si shtet në historinë e saj në të kaluarën e lartë, e ardhur nga Karpatet, dhe e vendosur në këto pjesë të “pashallëkut të Beogradit” me mashtrimet dhe dredhirat e saja, ka arritur që të zgjerohet e sidomos në kohërat e osmanëve që ishin të ndihmuar nga ruset dhe turqit, e që ia arritën t’i përvetësojnë trojet shqiptare si terë territorin e Toplicës me Nish dhe qytete tjera si Kryshvaci, Kraleva, Rashka, Novi Pazari, Prokuplja etj, dhe rreth 700 fshatra që ishin të popullit shqiptar, e që e arritën që me dhunë në mënyra mizore të na largojnë nga ato troje duke bërë spastrime të dhunshme dhe masakra të ndryshme, edhe që sot e terë kohën edhe në muzetë turke, ato troje janë të dokumentuara si patundshmëri e shqiptarëve”, tha Tërnava.

Madje, eksperti Tërnava me tej ka thënë se për shkak të gabimeve të krerëve të mëparshëm të Kosovës, shteti serb është në avantazh.

“Krejt kultura politike zyrtare serbe që është e bazuar edhe në dokumentet të tyre është e përmbajtur në një bazament që e thonë serbët: nuk është serb ai që nuk gënjen, dhe me gënjeshtrat e ripërsëritur shumë herë, gënjeshtra krijohet në realitet, këtë të thënë e ka thënë edhe në mënyrë të shkruar në romanët e tija e që llogaritet si baba i kombit serb Dobrica Çosiq, prandaj serbët me veprimet e tyre edhe në bisedime shërbehen vetëm me mashtrime dhe në interes të përfitimeve të tyre, që këtë e dëshmon edhe historia në të kaluarën e tyre serbe. Serbia me politikat e saja të zhvilluara deri më tani, është në avantazh karshi përfaqësuesve tonë që e përfaqësonin Kosovën, se deri më tani të gjitha bisedat që i ka zhvilluar me përfaqësuesit tonë gjithnjë ishin në avantazh sikur i shpjegova rastet me lartë, dhe duke i shfrytëzuar disa përparësi e sidomos të 5 shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe duke e pasur përkrahjen e Rusisë dhe të Kinës, por edhe ndërmjetësuesit që i zhvillonin bisedimet mes dy palëve Serbi dhe Kosovës edhe që janë përfaqësues të BE-së, gjithnjë janë më tolerant ndaj politikave serbe, sepse ndoshta këtë qëndrim e kanë në bazë të asaj që t’i përafrojnë dy palët, e që po e llogarisin se Serbia mund t’i shmanget bisedimeve të tilla”, ka shtuar me tej Tërnava.

Mirëpo, ai nënvizon se pas ardhjes së Kurtit në krye të qeverisë, vendi është në rrugën e duhur, pasi sipas Tërnavës, kryeministri është në hap me kohën.

“Tani kur në krye të Qeverisë së Kosovës është një person i pakorruptuar dhe në çdo aspekt i pastër dhe mjaft i shkolluar, dhe kur e ka të qartë në përgjithësi të kaluarën e popullit të tij, ky person është në hap me kohën dhe me njohurit dhe karakterin e tij, ky shërbehet vetëm me fakte e argumente duke i argumentuar të gjitha krimet serbe në të kaluarën, e sidomos duke ua përkujtuar serbëve masakrat dhe gjenocidin që e kanë kryer në trojet e Kosovës, duke bërë spastrime të tëra të popullatës nga territoret e Kosovës, duke ua kallë e shkatërruar pasuritë e patundshme popullit të Kosovës, dhe duke ua plaçkitur ato në tersi. Ishte Serbia që në vitin 1999 në Kumanovë e nënshkroi kapitullimin-humbjen e Kosovës, edhe që Serbia bëri padi në GJND, dhe kjo e fundit e dha verdiktin pozitiv në favorin e Kosovës. Prandaj, këto dhe fakte tjera tani që janë në favorin e Kosovës janë të mjaftueshme që të parashtrohen në tavolinë në bisedimet e radhës me Serbinë, dhe mos të zhvillohen bisedime teknike sikur deri më tani sikur që u zhvlerësuan këto bisedime dhe e humben vlerën e tyre, dhe këto bisedime i shkonin në favor vetëm Serbisë”, tha ai.

Tërnava nuk lë pa drejtuar kritika të ashpra për Thaçin e Mustafën, që sipas tij, janë fajtorët kryesor për Asociacionin e komunave serbe.

“Çfarë ju deshtë Hashim Thaçit si kryeministër që në vitin 2013 ta nënshkruajë Asociacionin e komunave serbe, dhe po të njëjtën në vazhdimësi ta nënshkruajë edhe Isa Mustafa si kryeministër në vitin 2015, dhe Kuvendi i Kosovës ta miratojë këtë marrëveshje, që me këtë do të krijohej një “Srpska Republike”, e kur dihet që na Kosovë jetojnë rreth 100,000 serbë e të shpërndarë në disa komuna anembanë Kosovës e kur dihet që disa fshatra u shpallen komuna për t’ua plotësuar dëshirat e Serbisë dhe ajo të shërbehej ndërkombëtarisht se ka shumë komuna serbe në Kosovë, edhe që presidentja Jahjaga në atë kohë e kundërshtoi këtë vendim të Kuvendit duke e dërguar në shqyrtim në Kushtetuese, dhe që e shpalli këtë vendim antikushtetues ku ishin bërë shkelje në 23 nene të kushtetutës, kjo na jep të nënkuptojmë se përfaqësuesit tonë që e nënshkruan një marrëveshje të tillë qenkan aq ta pashkolluar apo thellë të futur në krime, prandaj prisnin që Serbia do t’iu ndihmojë atyre që t’i lirojë nga përgjegjësitë për të cilat ata e dinë çfarë i kanë kryer në të kaluarën, e tani edhe haptas po dihet se tani Hashim Thaçi nuk është ne Hagë pse i paska “sytë e zi”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike.

Tentativa e Vuçiq-it

Ai gjithashtu ka potencuar se deklarata e fundit të Vuçiq janë si nj tentativë për ta detyruar Kosovën dhe qeverinë e saj t’i jap diçka në këmbim të njohjes.

Tërnava për “Bota sot”, ka bërë me dije se presidenti serb do të bëjë gjithashtu çmos për t’i mbrojtur qëndrimet e tij.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të bëjë çmos për t’i mbrojtur qëndrimet e tij, e sidomos kur deri më tani iu kanë shitur “foret’ e tij të ata të mëparshmit, bile t’i sikur të zgjatej edhe më tutje ato bisedime, sikur që ishin deri më parë, ekzistojnë dyshimet që do të kishte edhe ndërrime të kufijve, sikur që u argumentua nga treshja Rama-Vuçiq-Thaçi, e sidomos krijimi gjithsesi i Asociacioneve të Komunave serbe. Prandaj tani situata ka ndryshuar me që Kosova qeveriset nga Albin Kurti, i cili e përfaqëson Kosovën si kryeministër qe fitojë vota mbi 50 për qind dhe i cili e përfaqëson popullin e tij denjësisht”, ka shtuar Tërnava.

Me tej, gjithashtu Tërnava ka shpjeguar se pse Vuçiq është në një situatë jo të lakmueshme.

“Duke e përjetuar këtë ndërrim të situatave të qeverisjeve tani Vuçiq gjendet para një situate të vështirë tensionuese sepse tani në ndërmjetësimet të Serbisë dhe Kosovës, e kësaj çështje përpos BE-së është e pranishme edhe Amerika, të cilin shteti i Kosovës e ka si prindin e saj, sepse ishte kjo fuçi botërore që na ndihmuan të çlirohet po nga këta armiq shekullor dhe pa përkrahjen e këtij shteti do të ishte në pikëpyetje ekzistimi i Kosovës. Prandaj, edhe në këto kohëra deklaratat e Vuçiqit se, “kurrë nuk do ta njohë Kosovën“ mund të është një farsë politike dhe si tentim që ta detyrojë Kosovën t’i ndërrojë kufijtë apo të arrij diçka në favor për popullin serb, që t’i shërbejë si satisfikon për atë se në çdo mënyrë donë me i mbrojt interesat serbëve”, u shpreh me tej ai.

Eksperti Tërnava në fund ka thënë se është fat i madh për Kosovën që në krye të SHBA-së është presidenti Joe Biden, andaj, ai ka bërë thirrje që të shfrytëzohet kjo mundësi.

“Mos të harrojmë se serbët si popull janë të tillë që shpesh në të kaluarën i kanë vrarë prijësit e tyre, prandaj edhe kjo mund t’i shërbej si arsye që duhet të qëndroj në ato kërkesat nacionaliste serbe. Tani kur në botë po zhvillohen politika të tilla e që në krye të SHBA-së fatmirësisht është një mik i përbetuar i Kosovës, e ai është presidenti Joe Biden, edhe këtë situatë duhen ta shfrytëzojnë politikanët e Kosovës, dhe asnjë marrëveshje mos ta miratojnë pa pëlqimin e këtij shteti, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet marrëveshja kapitale për Kosovën”, tha në fund, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat