Jeff Hovoneir pritet që jetë ambasador i ardhshëm i SHBA-së në Kosovë, pas konfirmimit nga senati.
Kjo u bë e ditur dje përmes një njoftimi nga Administrata Amerikane, ku thuhet se në mesin e disa emrave të nominuar për ambasadorë në vende të ndryshme, është edhe Jeff Hovoneir.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ka shkruar “Mirë se vjen në Kosovë Ambasador”.
“Pas konfirmimit nga Senati, Jeffrey M. Hovenier,do të jetë Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë. Jeffrey M. Hovenier është diplomat i karrierës, dhe ka qenë aktivisht i përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Presidentit Ahtisaari. Mirë se vjen në Kosovë Ambasador!”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ndryshe, Jeffrey Hovenier ishte diplomat karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm me gradën Ministër Këshilltar. Ai aktualisht shërben si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Ankara, Turqi. Para kësaj ishte Ushtrues i Detyrës së Shefit të Misionit dhe Ministër Këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën e SHBA në Berlin, Gjermani. Ai gjithashtu shërbeu në misionet e SHBA në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); dhe në stafin e të Dërguarit Special të KB për Statusin e Kosovës.
Detyrat e tij në Uashington përfshijnë shërbimin si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO dhe Çështjet e Evropës Qendrore.