Kundërthënie ndërmjet pozitës dhe opozitës për takimin e nesërm në Bruksel

Aktuale

Kundërthënie ndërmjet pozitës dhe opozitës për takimin e nesërm në Bruksel

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Grupi i ekspertëve i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nesër do të takohen me palën serbe në Bruksel. Takimi trepalësh, i ndërmjetësuar nga emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po konsiderohet se është vetëm përgatitje për temat që do të diskutohen në takimet e ardhshme të nivelit të lartë politik. Megjithatë, përveç që e kanë konfirmuar takimin, nga Bashkimi Evropian nuk kanë bërë të ditur agjendën e diskutimit të nesërm. Nga ana tjetër, nga PDK, si partia më e madhe opozitare e kritikojnë kryeministrin Albin Kurti se në mungesë të një agjende për dialogun po hap tema që janë mbyllur në të kaluarën dhe i sjellin dëme vendit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni thotë për KP se Qeveria Kurti ka bërë hapin pozitiv duke dhënë propozime lidhur me fillimin e dialogut dhe përmbajtjen e tij. Por sipas tij, pala serbe po insiston vazhdimisht të diskutohet për asociacionit, i cili siç thotë është i mbyllur dhe vdekur.

Pavarësisht kësaj, deputeti i mazhorancës thotë se edhe mos pajtueshmëria për temat e diskutimit në takimin e nesërm, nuk mund ta rrezikojë takimin e 25 korrikut të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Hyseni: Ajo çfarë po bëhet tani është përgatitja e temave që do të diskutohen

“Paraprakisht janë bërë katër propozime nga zotëri Kurti në takimet fillestare lidhur me fillimin e dialogut dhe përmbajtjen e tij. Në anën tjetër e kemi palën serbe që insiston vazhdimisht të diskutohet për asociacionin, një temë që konsiderohet e mbyllur dhe vdekur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo çfarë po bëhet tani është përgatitja e temave që do të diskutohen para fillimit të dialogut, apo para fillimit të takimit të radhës së dialogut...nuk besoj se do të rrezikohet sepse agjenda dhe dakordimi do të jetë mes dy palëve dhe do të bëhet,. Por, jo siç ka qenë në të kaluarën duke imponuar”, thotë ai.

Por, kritika karshi Qeverisë Kurti për qasjen në dialog po adreson deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti duhet të jetë i qartë në atë çfarë po bënë sepse ka shumicë qeveritare.

Beqa: Në mungesë të një agjende, Qeveria po i rikthen temat që i sjellin dëme vendit

“Në mungesë të një agjende për dialogun, Qeveria e Kosovës po i rikthen temat, të cilat i sjellin dëme vendit sepse krijon një status-quo. Janë shumë tema që janë mbyllur dhe ende zotëri Kurti është i paqartë sepse ato marrëveshje janë në fuqi, por duhet të implemenmtohen ose duhet të gjenden rrugë për t’i shfuqizuar. Por deri më tani nuk kemi pas një qëndrim zyrtar nga zotëri Kurti”, deklaron Beqa.

Nga ana tjetër, takimin e nesërm nga shoqëria civile po e shohin të nevojshëm për pajtueshmëri mbi agjendën e dialogut.

Megjithatë, Violeta Haxholli nga KDI thotë se në këtë takim mund të diskutohet edhe për temat dhe marrëveshjet e së kaluarës.

Haxholli: Nuk ka informacione se çfarë do të diskutohet në atë takim

“Nuk ka informacione se çfarë do të diskutohet në atë takim, cila është agjenda, megjithatë mund të aludojmë se ashtu siç ishte takimi i kryeministrit Kurti me presidentin Vuqiq, ndoshta edhe ky takim do të jetë më shumë për t’u njoftuar se ku ka mbetur procesi prej herëve të kaluara. Në cilat tema është shënuar progres dhe në cilat tema ka ngecje, në mënyrë që edhe grupi i ekspertëve të jetë i njoftuar se çfarë mund të pritet nga kjo fazë e re e dialogut me Serbinë”, thotë ajo.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress e konfirmoi takimin e nesërm, deri sa tha se takimi i radhës i nivelit të lartë do të bëhet publik në një kohë të përshtatshme.

“Mund të konfirmoj se takimi i ardhshëm në kuadrin e Dialogut Beograd-Prishtinë në nivelin e kryenegociatorëve do të zhvillohet në Bruksel këtë të mërkurë, më 7 Korrik. Sa i përket takimit të Nivelit të Lartë midis Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit Serb, ne do të japim njoftimin për një takim të tillë nëse dhe kur është e përshtatshme”, tha ai.

Takimi i nesërm është i pari i këtij lloji nën qeverinë Kurti, derisa në të kaluarën ka pasur më shpesh takime në nivelin e ekspertëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat