Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë që ndodhi më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të jetë në fuqi deri më 18 dhjetor 2026. Hoti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit bëhet e ditur se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12:00, pas një mosmarrëveshjeje të çastit për parkimin e automjeteve.
Sipas dyshimeve, Rrahman Hoti kishte shtënë disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Në atë moment, në automjet ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e mitur e viktimës, të cilat, sipas Prokurorisë, ishin ekspozuar ndaj rrezikut për jetën.
Pas plagosjes, viktima ishte dërguar fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kishin konstatuar vdekjen e tij.
Ndërkohë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas një kohe ishte lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia kishte gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar të përdorur në rast, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij ishin gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.
Një detaj tjetër që bëhet i ditur në vendimin e Gjykatës është se Rrahman Hoti rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Zvicër për veprën penale të vrasjes.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së të dyshuarit, duke marrë parasysh edhe faktin se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas të shtënave.
Po ashtu, sipas Gjykatës, pesha e veprave penale, rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe faza fillestare e hetimeve e bëjnë të domosdoshëm caktimin e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të pranisë së të pandehurit dhe mbarëvajtjes së procedurës penale.
I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.