A mund ekstradohet në Kosovë shoferi i aksidentit në Kroaci?

Aktuale

A mund ekstradohet në Kosovë shoferi i aksidentit në Kroaci?

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:03
Shoferi i kompanisë “Deva Tours” që doli nga rruga në Sllovenski Brod të Kroacisë

Shoferi i kompanisë “Deva Tours” që doli nga rruga në Sllovenski Brod të Kroacisë, duke përfunduar kështu në një aksident tragjik ku la dhjetë mërgimtarë të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar, nuk mund të ekstradohet në Kosovë pa përfunduar punë me drejtësinë kroate.

Kështu pohojnë njohës të çështjeve të drejtësisë.

Shoferi i autobusit nga Kosova që po kthehej nga Gjermania dhe po kalonte nëpër Kroaci, të cilin e zuri gjumi prapa timonit dhe shkaktoi aksidentin tragjik ishte arrestuar menjëherë nga autoritetet kroate, ndërsa të martën Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod të Kroacisë shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij.

Ekstradimi i tij nga Kroacia në Kosovë sipas njohësve të drejtësisë nuk mund të ndodh, kjo të paktën deri në përfundimin e gjykimit të tij nga drejtësia kroate, ndërsa veç pas përfundimit të gjykimit, autoritetet vendore mund të kërkojnë ekstradimin e tij.

IKD: Pas përfundimit të gjykimit, Kosova mund të kërkojë që shoferi të transferohet këtu për vuajtje të dënimit

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), tha se procedura penale ndaj shoferit në fjalë bëhet në shtetin ku ka ndodhur ngjarja, dhe më pas të bëhet kërkesë që të bëhet transferimi në Kosovë që të vuajë dënimin.

“Ne rastin e aksidentit, procedura penale ndaj shoferit zhvillohet në territorin në të cilin është kryer vepra penale, e në këtë rast në Kroaci, nga sistemi gjyqësor kroat, kurse në rast të dënimit Kosova mundet me dërgua kërkesë për transferimin e personave të burgosur që i njëjti ta vuan dënimin në Kosovë nëse me këtë kërkesë pajtohen edhe autoritetet kroate”, u shpreh Zekaj.

Millaku: Ekziston mundësia e bartjes së tij në Kosovë, por varet nga marrëveshjet bilaterale mes dy shteteve

Ndërkaq avokati Haxhi Millaku, tha se mendimi se personi në fjalë duhet të  gjykohet në Kosovë është më tepër laik për faktin se ngjarja ka ndodhur në një shtet tjetër.

“Në vendin e kryerjes së veprës penale, territori dhe kompetencat, juridiksioni është kroat. Ngjarja ka ndodhur atje dhe janë shumë elemente që e vërtetojnë juridiksionin e bazum të shtetit kroat. Ajo fajësi është vërtetua atje me pranimin e tij kur të gjitha provat tregojnë se ai ka qenë në gjumë. Edhe këto në predispozita ligjore për vepra penale nga pakujdesia janë kategori, por është një pakujdesi e tejskajshme kur profesionalisti flenë dhe ka përgjegjësi të madhe se është në nivel detyre’, tha Millaku.

Megjithatë, Millaku nuk e përjashton mundësinë që me një marrëveshje mes Kosovës dhe Kroacisë të bëhet bartja e gjykimit të shoferit të “Deva Tours” në Kosovë.

Por, sipas tij një gjë e tillë s’do i konvenonte Kosovës, pasi veç një ekspertizë ose një rikonstruktim i vendit të ngjarjes do i kushtonte shumë Kosovës.

“Ekziston mundësia e bartjes në Kosovë por varet nga marrëveshjet bilaterale, nëse e ka bazën e marrëveshjes bilaterale mes shteteve atëherë mundet, por këto natyra e veprave jo pasi që së pari nuk është e logjikshme pastaj është kundër ekonomizimit sepse shpenzimet nesër me u lyp një ekspertizë ose një rikonstruktim i vendit të ngjarjes ne nuk jemi shtet i fortë. Mundësia e ekstradimit, e bartjes së gjykimit në Kosovë që ai të përgjigjet këtu i takojnë aspektit teorik ndërshtetëror e bilateral”, deklaroi Millaku.

Ndryshe, Ishte ora 06:00 e ditës së diele kur autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, që ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga rruga në Sllovenski Brod të Kroacisë.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur dhe mbi 40 të tjerë kanë mbetur të lënduar në këtë aksident.

Ndërkohë, të martën gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Slavonski Brod të Kroacisë, Mile Soldo i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, shoferit të autobusit nga Kosova që  ishte duke drejtuar autobusin që u aksidentua në Kroaci.

Të lënduarit janë kthyer të martën në mbrëmje nga Kroacia në Kosovë, ndëras trupat e pajetë të dhjetë mërgimtarëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik pritet të kthehen sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat