Gjykata Speciale thotë se nuk iu ofrojnë materiale pornografike të paraburgosurve, por ata mund...

Aktuale

Gjykata Speciale thotë se nuk iu ofrojnë materiale pornografike të paraburgosurve, por ata mund...

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 17:44
Foto ilustrim nga "Bota sot"/ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Për muaj të tërë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët po vazhdojnë të qëndrojnë në Hagë si të paraburgosur nën aktakuzën për krime lufte, kundër njerëzimit e administrimit të drejtësisë. Ata kanë qasje në qindra libra që ka biblioteka e Njësisë së Paraburgimit të Gjykatës Speciale.

Por, Dhomat e Specializuara të Kosovës, të pyetura nga Gazeta nëse të paraburgosurve u ofrojnë materiale me përmbajtje pornografike, ka treguar se ata nuk kanë qasje në të tilla përmbajtje.

Ata kanë sqaruar se të paraburgosurit nuk u sigurohen nga DHSK materiale pornografike.

“Përgjigja në pyetjen tuaj të dytë është jo, DHSK-ja nuk siguron materiale të tilla për të paraburgosurit”, tha Specialja.

Dje Gazeta ka shkruar se të paraburgosurit mund të lexojnë libra në disa gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe ato në gjuhën shqipe.

Kjo pasi, sipas Gjykatës Speciale, biblioteka e saj përmban qindra libra dhe e njëjta përditësohet vazhdimisht me tituj të rinj.

“Biblioteka në të cilën kanë qasje të paraburgosurit përmban një larmi të madhe librash në shqip por edhe në gjuhën angleze. Biblioteka e shton rregullisht fondin e saj të librave. Të paraburgosurit janë të lirë të zgjedhin dhe gjithashtu të blejnë librat e tyre. Në bibliotekë janë në dispozicion qindra libra në shqip, anglisht dhe në gjuhë të tjera”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Tutje Specialja tha se “për arsye të privatësisë, DHSK-ja nuk ofron informata lidhur me atë se çfarë saktësisht lexojnë të paraburgosurit”.

Ndërkaq, javë që shkoi, media ka shkruar rreth mungesës së fshehtësisë së korrespondencës të të paraburgosurve në Hagë.

Në përgjigjen e Speciales thuhej se për shkak të rrethanave të sigurisë, zyrtari kryesor i paraburgimit hap, inspekton dhe lexon letrat e marra dhe të dërguara prej të paraburgosurve.

Por, ky veprim i DHSK-së u kritikua nga juristët kosovarë duke nënvizuar se me një qasje të tillë po u mohon të drejtën e konfidencialitetit të korrespondencës, të cilën e garanton Kushtetuta e Kosovës.

Tutje, juristët ktheksuan se e drejta e garantuar e fshehtësisë mund të cënohet vetëm me vendim gjyqësor dhe me arsyetim të bazuar se veprimi është i domosdoshëm për ecurinë e procedurës penale.

Kujtojmë që ish-komandantët e UÇK-së, Thaçi dhe të tjerët, po mbahen të paraburgosur në Hagë nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat