Marrëveshjet ndërkombëtare (s’)kalojnë, pozita kërkon nga opozita të reflektojë

Aktuale

Marrëveshjet ndërkombëtare (s’)kalojnë, pozita kërkon nga opozita të reflektojë

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 16:29
Kuvendi

​Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e që është tentativa e tretë pasi dy herë të tjera dështuan të bëjnë një gjë të tillë. Deputetët e PDK-së dhe AAK-së thonë se nuk do të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare pasi që Qeveria Kurti nuk po tregohet konstruktive për t’i sqaruar ato, por mësohet nga burime brenda grupit parlamentar të LDK-së se kjo parti pritet të ndryshojë qëndrim dhe të votojë pro marrëveshjeve.

Ndërkohë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron. Ndërsa monitoruesit e punës së Kuvendit ftojnë për një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se mazhoranca duhet të tregohet më bashkëpunuese me pozitën, teksa mohon se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është si shenjë hakmarrjeje karshi Lëvizjes Vetëvendosje.

Beqa në një prononcim thotë se me mosratifikimin e këtyre marrëveshjeve nuk rrezikohen të humbin fondet, teksa shton se në të kundërtën do t’i votonin.

Beqa: Qeveria duhet të jetë më bashkëpunuese me opozitën

“Këto janë marrëveshje që janë në implementim e sipër, nuk janë marrëveshje të reja. Nuk janë marrëveshje të reja, nuk kam parë asnjë marrëveshje të re, nuk rrezikohen me u humb fondet. Mendoj që qeveria duhet me qenë më bashkëpunuese me opozitën dhe me e gjet një gjuhë të përbashkët për t’i votuar marrëveshjet, jo me gjuhën e arrogancës. Të njëjtat marrëveshje kur ne i kemi sjellë t’i votojmë, e njëjta qeveri aktuale nuk i ka votuar shumicën prej tyre. Konsideroj se mazhoranca duhet të ndërrojë formën e bashkëpunimit dhe jo të thirret në numra... Në momentin që ka ndonjë marrëveshje që do t’i humbin fondet opozita do t’i përkrahë”, thotë Beqa.

Se vendimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mos votuar për marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka të bëjë me inate politike e thotë deputeti Pal Lekaj.

Ai thekson se AAK është e bindur që të mos i votojë këto marrëveshje ndërkombëtare derisa Qeveria Kurti të japë sqarimet e nevojshme.

Lekaj: AAK nuk ka inate me askënd

“Sa i përket AAK-së, grupi parlamentar mendoj që nuk ka inate me askënd. Por, ne në bazë i analizojmë këto marrëveshje por deri më tani nuk na ka bindur Qeveria e Kosovës që janë të leverdishme për qytetarët e Kosovës. Ne i kemi analizuar në mënyrë analitike por e kemi parë që nuk ka specifikim të parasë që merret në huazim dhe për këto çështje nuk i kemi votuar dhe nuk do t’i votojmë deri sa të na sqarojnë për detajet e marrëveshjeve. Por në asnjë mënyrë politikisht nuk veprojmë”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, është pozita që nuk i pranon si të vërteta arsyet e partive opozitare për mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, thotë se argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron.

Ajo thotë se mungesa në mandatin e kaluar vetëm në kohën kur ka filluar funksionimi i qeverisë, e cila është vlerësuar të jetë jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese, nuk i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Kusari – Lila: Opozita të reflektojë për marrëveshjet ndërkombëtare

“Argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron për faktin se ne edhe me shefat e GP individualisht por edhe në mbledhje të kryesisë kemi kërkuar votimin. Në fakt, marrëveshjet ndërkombëtare janë dokumentet të cilat trajtohen në disa qeveri. Një numër i tyre ka filluar në vitin 2015 kur kanë filluar të negociohen dhe gjithashtu përfitimet janë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim... Shpresoj që do të reflektojnë dhe para se të shkojmë në pushimin veror të kemi mundësi të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare ashtu siç kërkohet me 2/3 e deputetëve në Kuvend”, thotë ajo.

Monitoruesja e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesë Haxhiu, thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë problematikë për secilën legjislaturë, e sidomos në legjislaturën e 6 dhe të 7.

Ajo fton për qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Haxhiu: Nevojitet një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës

“Në atë kohë ka qenë LVV në opozitë dhe nuk ka shprehur vullnet për të bashkëpunuar në këtë drejtim e kjo tash po i kthehet në kohën kur tash është në pushtet. Ajo çka unë mendoj që është shumë e rëndësishme tek marrëveshjet ndërkombëtare është që është e pamundur që shumica parlamentare t’i kalojë ato vet. Nevojitet një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës, por e nisur nga shumica... E kjo i ka munguar Kuvendit ndër vite, nuk është një problem i ri, mungon kjo kultura e bashkëpunimit në çështjet që shkojnë përtej interesave dhe që ndikojnë në fakt në rritjen e mirëqenies se jetës së qytetarëve”, thekson ajo.

Ani pse në mënyrë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë folur për qëndrimin e tyre lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, burime brenda grupit parlamentar të këtij subjekti kanë bërë të ditur se nesër pritet të mbahet mbledhja e GP, e si rrjedhojë edhe vendimi për të votuar marrëveshjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat