Kurti flet pas përfundimit të takimit me Lajçak, tregon çka biseduan

Aktuale

Kurti flet pas përfundimit të takimit me Lajçak, tregon çka biseduan

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 19:57
Takimi i Albin Kurtit dhe Miroslav Lajçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas përfundimit të takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se në takim janë diskutuar marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor me BE-në si dhe kanë biseduar për takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi.

Takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Lajçak ka ndodhur në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë.

“Ne diskutuam marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor, si dhe takimet e mëparshme dhe të ardhshme të dialogut me Miroslav Lajçak në BSF. Ne u pajtuam për rëndësinë e afrimit të perspektivës së BE-së me njerëzit dhe se nuk ka alternativë për procesin e zgjerimit të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkroi Kurti në Twitter.

Kryeministri Kurti riktheksoi në takim se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe parimor, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve dhe paqes e sigurisë së qëndrueshme e të përgjithshme.

Ai konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, ndërsa shprehu besimin se reformat e brendshme të Bashkimit Evropian dhe zgjerimet e jashtme janë të domosdoshme për njëra-tjetrën.

Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka thënë se zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndodhin krahë për krahë me njëra tjetrën. Sipas tij, në BE duhet të integrohen të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor bashkë.

Për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE, Kurti përmendi edhe dy fakte që mund të përfitojnë dy palët.

Takimi i ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet këtë muaj në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat