Klinika e Gjinekologjisë rrezikohet nga frigoriferë të mbushur me placenta

Aktuale

Klinika e Gjinekologjisë rrezikohet nga frigoriferë të mbushur me placenta

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 14:08
Dy frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë të mbushur me placenta.

Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tash ka nisur shkrirja e tyre.

Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.

Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në deponë e katit të parë.

Rrezik për shëndetin paraqesin posaçërisht tre frigoriferët në katin e tretë. Salla e lindjes është vendi ku rreth 700 fëmijë në muaj vijnë në jetë.

Pesha mesatare e një placente sillet rreth 500 gramë.

“Ne brenda muajit i kemi 500 kilogramë ind placentar, kështu që ato duhet të largohen. Ne nuk kemi ku t’i lëmë. Frigoriferi nuk është zgjidhje. Ato duhet të eliminohen, të asgjësohen ashtu siç i ka hije një indi trupor”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.

“Janë disa frigoriferë të mbushur, ata kur nuk janë të mbyllur nuk ngrihen, kundërmojnë, është gjaku, era e rëndë... Distanca nga salla e lindjes është 10-15 metra, kështu që bëj apel që sa më shpejt ata që janë kompetentë të organizojnë largimin e këtyre mbetjeve”, shtoi Ismaili.

Image
Një frigorifer në Klinikën e Gjinekologjisë ku po vendosen placentat.

Sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), largimin e tyre e bën një kompani private e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion. Megjithatë, QKUK-ja tha se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet fillimisht që Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion se ku duhet të groposen këto mbetje.

Ismaili tha se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është bërë kërkesë disa herë për ndarjen e një lokacioni.

“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di çka do të bëjmë”, tha drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.

Sipas Ligjit për mbeturina dhe Udhëzimit administrativ për menaxhimin e mbeturinave medicinale-patologjike, mbeturina patologjike mblidhen, ruhen dhe trajtohen duke i groposur/varrosur ne vendin e caktuar. Gjatë kësaj procedure, duhet të shtohet edhe material për dezinfektimin e tyre.

Sipas po të njëjtit udhëzim, mbeturina patologjike të vendosura në paketime duhet të ruhen në objektet spitalore me mbyllje hermetike në temperaturë jo më shumë se 8 gradë, dhe nuk duhet të qëndrojnë më shumë se pesë ditë. Në ngrirje të thellë mund qëndrojnë maksimum një vit deri në trajtimin e tyre, kurse vendi i ruajtjes duhet të jetë i mirëmbajtur dhe i dezinfektuar.

Duke u bazuar në këto dispozita ligjore e administrative, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Valbon Krasniqi, në dhjetor të vitit 2020 kërkoi nga Komuna e Prishtinës që të jepte në shfrytëzim një pronë për groposjen e mbetjeve patologjike sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së komunës për rastet e veçanta.

Image
Komunikimi i 15 qershorit, 2021 mes nënkryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi dhe zyrtarëve të SHSKUK-së.

Në një komunikim përmes adresës elektronike të datës 15 qershor 2021, të cilin REL-i e ka parë, zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë përmendur se hapësira në fshatin Vranidoll, 15 kilometra nga Prishtina, do të jetë e destinuar për këtë qëllim. Aty shtohet se kryetari i komunës me vendimin e tij do ta lejojë shfrytëzimin e hapësirës në Vranidoll për groposjen e mbetjeve patologjike. Në QKUK thanë se një vendim i tillë ende nuk është marrë, kurse Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë.

E Ilmije Havolli-Lushaku, infermieria kryesore në sallën e lindjeve në Gjinekologji, tha se shkrirja e mbetjeve në frigoriferë paraqet problem të madh për stafin, pacientët dhe fëmijët e porsalindur.

“Këta muajt e fundit kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha me të cilat jemi të rrezikuar drejtpërdrejtë ne personeli, pacientët, të porsalindurit dhe punëtorët e mirëmbajtjes. Unë mendoj se është momenti i fundit kur duhet të ndërmerret diçka, derisa nuk është bërë ose nuk është përhapur ndonjë infeksion tjetër. Ne e dimë sesi e kemi situatën në shëndetësi, tash kur jemi me pandemi”, tha ajo.

Image
Një intermiere në Klinikën e Gjinekologjisë bart një qese me placentë.

“Do ta kemi problem edhe bartjen nëse vjen momenti që t’i bartim. Si do t’i largojmë pasi ato janë të shkrira? Unë e rrezikoj të gjithë hapësirën ku kaloj teksa i bart ato (placentat)”, shtoi Havolli-Lushaku.

Shqetësimi është që gjatë bartjes se placentave ka rrezik që infeksionet e ndryshme mund të përhapen përtej dhomave të klinikës.

Vitet e kaluara, largimi i placentave dhe mbetjeve të tjera nga QKUK-ja është bërë nga ndërmarrja publike “Hortikultura”. Kjo ndërmarrje kujdeset për ngritjen, rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara publike në territorin e qytetit të Prishtinës.

Ndërkohë, QKUK-ja tha se i ka kryer të gjitha procedurat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve për groposjen e mbetjeve patologjike, por nënshkrimi i kontratës me atë kompani është në pritje të caktimit të një lokacioni.

Image
Kërkesa që SHSKUK-ja i ka dërguar Komunës së Prishtinës më 14 shtator 2021.

“Rrezikohemi që të bëhet anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit dhe me këtë do të ballafaqohemi me vështirësi të papërballueshme, për faktin se këto mbetje infektuese nuk do të mund të trajtohen dhe si rezultat i kësaj do të vije deri te paraqitja e infeksioneve të pakontrollueshme me rrezikshmëri në përmasa të mëdha”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e fundit drejtuar Komunës së Prishtinës më 14 shtator 2021 nga Havushe Rexhepi, u.d. drejtoreshë e shërbimeve teknike-administrative të SHSKUK-së. Kjo kërkesë i është dërguar komunës përmes drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Me problemet e ngjashme për groposjen e mbetjet patologjike, përveç Klinikës së Gjinekologjisë, përballet edhe Instituti i Patologjisë ku ka mbetje indore që përfshijnë pjesët e amputuara të trupit të njeriut dhe organe tjera të larguara me intervenime kirurgjike.

Brenda një viti, sipas QKUK-së, në këto dy institucione mblidhen rreth 30 tonë placenta dhe mbetje indore./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat