Osmani: Epilogu i dialogut me Serbinë duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë

Aktuale

Osmani: Epilogu i dialogut me Serbinë duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 14:46
Foto nga takimi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se në dialog me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se epilogu i tij duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe konform rendit juridik të Kosovës.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë një takimi me presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada që e zhvilloi në vazhdën e takimeve me liderë botërorë, në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York.

Osmani ka falënderuar homologun e saj nga Kosta Rika lidhur me atë se shteti i tij ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës.

Ajo ka kërkuar përkrahje nga homologu Quesada që të lobojë te shtetet fqinje të Kostarikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se pret mbështetjen e këtij shteti edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në këtë takim, Osmani është ndalur edhe të mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror me Kostarikën dhe ka theksuar se të dy vendet duhet t`i promovojnë mundësitë e tregtisë dhe investimeve.

Presidenti i Kostarikës, ndërkaq, shprehu admirimin e tij për përparimin e shpejtë të Kosovës dhe nënvizoi gatishmërinë e tij për të lobuar gjithandej për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat