Tri orët e Arben Vitisë para Komisionit/ Debat i Ashpër me Armend Zemajn për menaxhimin e pandemisë

Aktuale

Tri orët e Arben Vitisë para Komisionit/ Debat i Ashpër me Armend Zemajn për menaxhimin e pandemisë

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 16:11
Foto nga mbledhja e komisionit për Shëndetësi

Për më shumë se tri orë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Ai gjatë këtij raportimi njoftoi se nga 27 shtatori certifikata e vaksinës ose testi negativ për COVID-19 do të jetë kusht edhe për hyrje në gastronomi. Ndërsa, lidhur me hapjen e shkollave u shpreh se kanë marrë rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Edhe kjo mbledhje e Komisionit për Shëndetësi u shoqërua me akuza e debat të ashpër në mes të ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili është anëtar i Komisionit dhe ministrit aktual, Arben Vitia.

Lëvdata të shumta për menaxhim të pandemisë ka adresuar anëtari i Komisionit nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli. Ai e pyeti për mundësinë e lehtësimit të masave antiCOVID.

Ministri Vitia tha se për hapjen e shkollave IKSHP ka rekomanduar që të vazhdojnë të jenë të mbyllura, por janë në bisedime me MASHT-in dhe po bëjnë përgatitjen e duhura. Ndërsa, sa i përket gastronomisë, ai tha se nga 27 shtatori në lokale mund të hyhet vetëm me certifikatë të vaksinimit ose teste PCR dhe serologjik.

Vitia: Nga 27 shtatori në lokale vetëm me certifikatë vaksinimi ose test PCR

Ne kemi filluar qysh nga e premtja e kaluar diskutimet me ministritë e linjës sidomos me atë të Arsimit zonjën Nagavci për hapat që do t’i ndërmarrim. Rekomandimet nga IKSHP-ja kanë qenë që shkollat duhet të ndërpriten dhe kjo të vazhdohet, mirëpo jemi duke diskutuar që në çdo mënyrë të bëjmë maksimumin që kjo të respektohen këto rekomandime, por edhe të merren edhe masa të tjera që nuk do ta dëmtonin procesin arsimor. Sa i përket gastronomisë, një nga sektorët më të goditur në ekonomi për shkak të kësaj situate, është evidente që operimet dhe humbjet e tyre janë më të mëdha. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe jemi duke punuar tani që edhe në gastronomi të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë brenda këtyre lokaleve vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR ose test serologjik”, tha ai.

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga LDK, Armend Zemaj ka akuzuar ministrin Vitia se më shumë është marrë me punë periferike sesa me menaxhimin e pandemisë. Madje ai adresoi kritika edhe mos ardhjen e udhëheqësve të IKSHP-së dhe SHSKUK-së për të raportuar para këtij Komisioni.

Zemaj: Po të kishte qeveri të përgjegjshme, ju s‘do të ishit sot duke raportuar këtu

Në situata normale dhe me një qeveri të përgjegjshme, ju sot nuk do të ishit këtu duke raportuar. Ju më shumë jeni marrë me punë periferike sesa me menaxhim të pandemisë, andaj nuk kemi çka të shtojmë më shumë kur për një muaj kemi humbur më shumë se 700 qytetarë dhe shkaktari kryesor është keqmenaxhimi apo më mirë mos menaxhimi i kësaj situate”, tha ai.

Ministri Vitia ka garantuar Zemaj se angazhimi kryesor i tij ka qenë dhe është menaxhimi i pandemisë COVID-19, por e pranoi se është marrë edhe çështje të tjera të rëndësishme.

Vitia tutje iu është kundërpërgjigjur Zemajt duke ia kujtuar një rekomandim të IKSHP më 3 nëntor të vitit të kaluar kur Zemaj ishte ministër i Shëndetësisë, ku IKSHP kishte kërkuar mbyllje totale për shkak të situatës së krijuar. Kjo nxiti debat edhe nga ish-ministri Zemaj duke thënë se thjesht ka qenë një rekomandim.

Vitia: Iu është propozuar për mbyllje totale, Zemaj: Ka qe]në vetëm rekomandime

Ne duhet të veprojmë menjëherë duke vepruar në shtëpi ky është rekomandimi nga IKSHP që të shpëtojmë nga kolapsi dhe të shpëtojmë jetë dhe rekomandojmë të zbatohet mbyllja konform situatës së krijuar... Zemaj: Çka të zbatojmë...Vitia: Është rekomanduar nga IKSHP për lockdown konform situatës të krijuar, e cila ka qenë në terren... Zemaj: Nuk është rekomanduar mbyllje një apo dy javore, lexojeni deri në fund... Ministër, prapë nuk e ke një kërkim falje për 700 njerëz që e kanë humbur jetën për 45 ditë... Vitia: Kjo është një keqpërdorim i statutit të ka deputetit është një shfrytëzim i petkut të deputetit që një nga disa këtu e kam pritur, por jo edhe nga ministri Zemaj. Zotëri Zemaj edhe tha edhe më herë një gjë që ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe duhet ta përmendi megjithëse thash ta kaloj. Zotëri Zemaj është duke aluduar në njërën nga fjalët paraprake se ka keq raportim në numrin e rasteve të vdekjeve por edhe rastet e paraqitura nga infeksionet“, theksoi ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga AAK, Shemsedin Dreshaj tha se tashmë kur jemi në fushatë zgjedhore por në anën tjetër edhe pritet hapja e shkollave, rrezikojmë një valë tjetër të infektimeve për çka kërkoi që të institucionet shëndetësore të jenë të përgatitura.

Dreshaj: Mund të kemi shpërthim tjetër të infektimit, të jemi të përgatitur

Ju mund të prisni shpërthim për këtë shpërthim duhet të jemi të përgatitur tash e jo të reagojmë pasi të paraqiten. Prandaj uroj që këto rekomandime t’iu hyjnë në shërbim”, u shpreh ai.

Ministri Vitia gjatë raportimit të tij tha se aktualisht në dispozicion janë edhe 400 mijë të vaksinës Pfizer, ndërsa deri në fund të vitit do të arrijnë edhe 500 mijë të tjera. Ai u shpreh se me këtë trend të vaksinimit deri në fund të vitit Kosova mund të arrij deri në 70 % të imunizimit të popullatës nga mosha 16-vjeç.

Vitia: 70 % të popullatës do të imunizohen deri në fund të vitit

“Aktualisht në stok janë mbi 400 mijë doza dhe për tre muaj janë administruar mbi 1.1 milion doza, afër 750 mijë qytetarë janë vaksinuar së paku me një dozë ndërsa me dy doza 450 mijë. Deri në fund të vitit do të arrijnë edhe mbi 500 mijë doza nga kompania Pfizer si pjesë e kontratës që kemi dhe me këtë sasi me trendin aktual pritet të vaksinohen mbi 70% e popullatës, respektivisht mbi 16-vjeç”, tha ai.

Krahas kritikave të pozitës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ballafaqua edhe kritika nga deputetët e pozitës. Deputeti Burim Karameta nga Lista Guxo, parti pjesë e ekzekutivit tha se me shtesat prej 60 eurosh për profesionistët shëndetësorë, ata janë të indinjuar prandaj ai thotë se Vitia është dashur të jetë më këmbëngulës më shumë në këtë drejtim.

Karameta: Keni krijuar indinjatë të thellë tek mjekët për shtesat

Të sanohej indinjata e thellë të cilin e keni krijuar te mantel-bardhët me mbështetjen prej 60 eurosh. Mendoj që ministër është dashur që të jeni më këmbëngulës se kjo mbështetje jo vetëm për mantel-bardhët, por edhe institucioneve tjera, të cilët janë drejtpërdrejt të kyçur në kontributin për menaxhim të pandemisë, mendoj se do kishte me qenë më e lartë... Ne kemi bërë thirrje të gjithë në profilet tona për një vaksinim sa më të madh të qytetarëve, por nuk kemi ditur se si të kthejmë përgjigje deri tani deri në një paraqitjen tuaj mediatike se si t’u kthejmë përgjigje atyre që duan të vaksinohen, por nuk mund të bëjnë termin”, u shpreh ai.

Ministri Vitia ndërkaq tha se deputeti Karameta po paragjykon në insistimet e tij për shtesat, ndërsa shtoi se kot kërkojmë shtesa kur nuk ka “lekë”.

Vitia: Qesen e ka qeveria, unë kam insistuar për shtesat e mjekëve

Zotëri Karameta, ju nuk keni qenë në takime me ministren e Financave dhe nuk e keni pasqyrimin se sa kam kërkuar unë nga Ministria e Financave për shtesat për mjek. Zotëri Karameta, duke qenë se edhe ju keni një përvojë institucionale dhe keni qenë njëri nga drejtorët, ju e keni pasur një problem, qesen nuk keni pasur ju besoj, por Drejtoria e Financave njësoj edhe në qeveri qesen e ka Ministria e Financave. Zotëri Karameta, insistimet e mia është keq të paragjykohen. Insistimet kanë qenë me kërkesat për shtesat për profesionistët shëndetësorë dhe kot kërkojmë shtesa kur nuk ka lekë, nuk ka mjete”, tha Vitia.

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi u përmbyll me debat në mes kryetares Fatmire Kollçakut dhe anëtarit të këtij komisioni, Armend Zemaj i cili më pas edhe e lëshoi mbledhjen.

Zemaj: 600 veta kanë vdekur nuk të është dëgjuar zëri, Kollçaku: Ku keni qenë ju

“Zemaj: 600 vetë kanë vdekur zëri nuk të është dëgjuar si kryetare e Komisionit...Kollçaku: Ku ke qenë ti, a në pushime kur unë kam qenë këtu pse nuk keni bërë kërkesë për një takim?... Zemaj: Në pushim keni qenë ju, edhe ministri”, u shprehen ata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat