Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq: Lajmi për gjetjen e eshtrave të Ukshin Hotit është i pasaktë

Aktuale

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq: Lajmi për gjetjen e eshtrave të Ukshin Hotit është i pasaktë

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 19:12
Ilustrim

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se lajmi për kthimin e eshtrave të Ukshin Hotit në Kosovë, është i pasaktë.

Përmes një komunikate, KNKK tha se ky raportim i pasaktë ka shkaktuar shqetësim te familjarët e personit të përmendur.

“KNKK-ja dëshiron të theksojë fuqishëm se ky raportim është krejtësisht i pasaktë dhe nuk bazohet në asnjë informatë të marrë nga KNKK-ja. Për më tepër, KNKK-ja bashkëndjen fuqishëm me familjarët e profesorit Hoti, në të cilët ky artikull ka pasur ndikim të keq emocional. Raportimi i pasaktë vetëm ua shton shqetësimin familjarëve të personave të zhdukur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Tutje, Kryqi i Kuq theksoi se familjeve të personave të zhdukur lajmet për identifikimin e tyre ua jep vetëm Qeveria e Kosovës.

“KNKK-ja ka punuar në emër të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë qe më shumë se 20 vjet, por përgjegjësia për t’i informuar familjarët për identifikimin e të dashurve të tyre u takon vetëm autoriteteve përkatëse qeveritare që merren me çështjen e personave të zhdukur. Si rregull, emrat e të identifikuarve nuk u jepen mediave. Është në diskrecion të familjarëve që ta bëjnë këtë, nëse duan”, thuhet më tej.

Po ashtu, KNKK shtoi se raportimi i rrejshëm pengon përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Për hir të familjarëve të personave të zhdukur, të cilët edhe ashtu kanë jetuar në dhimbje dhe ankth kaq gjatë, KNKK-ja dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast që t’i lavdërojë të gjithë gazetarët dhe mediat që raportojnë për këtë çështje me ndjesi dhe saktësi dhe që nuk duan ta rëndojnë më tej barrën që familjarët e personave të zhdukur e kanë bartur mbi supet e tyre qe një kohë të gjatë. Raportimi i pasaktë, edhe nëse është i paqëllimshëm, i pengon përpjekjet e të gjithë aktorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë për ta zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur”, thuhet në fund të njoftimit.

Këtë lajm e kishte demantuar të hënën edhe komisioni qeveritar për të pagjeturit.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka deklaruar se “lajme të tilla, krahas shkaktimit të dhimbjes së familjeve, dëmtojnë rëndë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”.

Ukshin Hoti është zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë dhe tash e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat