​AKR demanton të gjitha sondazhet, fton qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre

Aktuale

​AKR demanton të gjitha sondazhet, fton qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:01
Selim Pacolli dhe Gëzim Mehmeti

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka hedhur poshtë sot çdo sondazh të nxjerrë nga mediat e ndryshme, teksa thotë se matjet në terren për zgjedhjet komunale të 17 tetorit janë krejtësisht ndryshe.

Nënkryetari i AKR-së, Selim Pacolli në një konferencë për media tha se janë detyruar që të demantojnë çdo sondazh që është bërë gjatë fushatës.

Pacolli: Sondazhet në media nuk asociojnë me realitetin e matjeve që vijnë nga terreni

Mund të them që matjet e tilla të opinionit janë të manipuluara dhe asnjëra nuk koincidon me matjet tjera nga terreni... Në secilën media të shkruar dhe elektronike, ne i shohim montazhet e tilla të cilat nuk asociojnë në asnjë moment realitetin e matjeve, të cilat janë reale dhe vijnë nga terreni”, tha ai.

Kandidati i AKR-së për të parin e Prishtinës, Gëzim Mehmeti tha se sondazhet janë të porositura nga ndonjë subjekt politik në mënyrë që siç tha ai, t’i bëjnë qytetarët të ndërrojnë mendim.

Ai ftoi qytetarët e Prishtinës që kësaj të diele të votojnë sipas bindjeve të tyre politike dhe të mos ndikohen nga sondazhet manipuluese.

Mehmeti: Ka manipulime të qëllimshme

“Për të qenë një sondazh kredibil duhet të merret parasysh përqindja e popullatës, përqindja e gjinisë, e grup-moshave, e profesionistëve. Këtë nuk janë duke e bërë. Përqindja duhet të jetë e njëjtë sipas numrit të votuesve dhe sipas qendrës së votuesve, as këtë nuk janë duke e bërë. Do të thotë po prezantojnë tentime për manipulime, por qytetarët e Prishtinës nuk do të manipulohen, jam shumë i bindur... Do të thotë ka manipulime të qëllimshme për të arritur një efekt negativ, i cili në realitet është ndërhyrje në demokraci... Ne kemi një kërkesë për qytetarët e Prishtinës, votoni sipas bindjeve tuaja, të mos ketë ndikime, le të fitojë demokracia”, tha Mehmeti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat