Vllahiu: Fushata zgjedhore u shndërrua në betejë mes liderëve

Aktuale

Vllahiu: Fushata zgjedhore u shndërrua në betejë mes liderëve

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 22:29
Arbër Vllahiu

Analisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se fushata për zgjedhjet e 17 tetorit, e cila përmbyllet sonte, është karakterizuar me qetësi, me veprime në pjesën veriore dhe me pandeminë.

“Duhet të them që janë tri gjëra që ndërlidhen me njëra-tjetrën. Ka qenë një prej fushatave më të qeta deri sot, ka pasë prezantim të krejt kandidatëve derisa mungesa e kësaj fushate është debati i mirëfilltë dhe sfidimi përmes debatit. E dyta është që fushata është përcjellë me disa veprime në pjesën veriore të Kosovës dhe kjo ka pasë ndikim posaçërisht te komuniteti serb në veri dhe në pjesët e tjera ku jeton ky komunitet. E treta është pandemia ku mendoj që ka pasë pak respekt për masat kufizuese për parandalimin e pandemisë, por pas zgjedhjeve do ta shohim se cilat janë pasojat e kësaj fushate dhe krejt kësaj që ka ndodhur gjatë këtij muaji”.

Ai, në Rubikon tha se fushata elektorale për zgjedhjet lokale në disa komuna është shndërruar në ‘luftë’ mes liderëve.

“Beteja zgjedhore në Podujevë është betejë mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Unë konsideroj se krejt kjo fushatë në këtë periudhë kohore në disa prej komunave të Kosovës vërtetë është shndërruar në betejë mes liderëve. Këtë që po e shohim është se zgjedhjet lokale nuk janë përmbushje e egove të liderëve politikë në Kosovë, por ne e kemi parë që këto ego janë më të forta dhe po shndërrojnë zgjedhjet lokale në betejë mes tyre diku për ta mbajtur primatin e diku për ta rikthyer imazhin e liderit dhe lidershipit”.

Vllahiu deklaroi se janë disa komuna të mëdha që janë kthyer në fushëbetejë të liderëve të cilët duan të demonostrojnë fuqinë e tyre politike.

“Komuna si Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Gjilani dhe Podujeva sot janë shndërruar edhe më fuqishëm në një pjesë të ndërtimit ose ruajtjes së një primati të egove të lidershipit. Te Podujeva nuk e kuptoj pse duhet të vimë deri në këtë masë ku kemi dy kandidatë të cilët kanë një profil politik – LDK – ku njëri është ndërtuar nga LDK-ja dhe tjetri është kandidat i LDK-së. Mitrovica është qyteti tjetër ku mund të shihet se si përdoret termi ‘patriot’ për diçka që është triviale. Ne mund ta përkufizojmë si të doni betejën politike në terren, por nuk fitohen votat duke bërë një betejë kaq të ulët në kuptimin e goditjes në nervin elementar të qytetarit të Mitrovicës. Nuk mund t’i ndajmë mitrovicasti në ‘tradhtarë’ dhe ‘patriotë’”.

“Edhe Prishtina është një qytet që ka qenë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje për tetë vjet dhe e kemi parë se ku ka degraduar Prishtina si komunë. Tash kemi një situatë ku në Prishtinë vijnë me idenë që duhet me marr votën sërish. Nuk jam që të mos merret vota prej Arben Vitisë por të merret në bazë të vlerës, punës, prezantimit dhe debatit, por jo pse patjetër duhet që egot e liderëve politikë të futen në garë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat