Komunat ku ka nisur rinumërimi i votave, nga KQZ tregojnë detaje

Aktuale

Komunat ku ka nisur rinumërimi i votave, nga KQZ tregojnë detaje

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 17:40
Pamje nga votimet, 17 tetor 2021

(E plotësuar 18:20) - Në Qendrën e Numërimit të Votave ka filluar procesi i rinumërimit të tetë vendvotimeve për kryetar komune, si dhe 15 tjerë për Kuvende Komunale.

Vendvotimet të cilat kanë shkuar në rinumërim me emrat e kandidatëve për kryetar komunash janë nga Kaçaniku, Klina, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Prizreni, Skenderaj si dhe Prishtina.

Ndërsa ato me emrat e kandidatëve për Kuvendin Komunal janë nga Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Novëbërda dhe Podujeva nga një, Prishtina dhe Prizreni nga katër, si dhe Skenderaj me tre vendvotime në rinumërim.

“Arsyet për rinumrëim janë se në disa vendvotime formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuar ose të plotësuara pjesërisht dhe ka pas raste kur kanë munguar nënshkrimet e anëtarëve të këshillave të vendvotimit, andaj duhet bërë rinumërimi me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda kutive të votimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Puna po bëhet në 20 tavolina të numërimit, besojmë që brenda pak orëve do të përmbyllet”, shtoi ai.

***

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimi i 23 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës.

Sipas vendimit të KQZ-së, 8 vendvotime që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe u takojnë këtyre komunave: Kaçanik (1 vendvotim), Klinë (1), Mitrovicë e Jugut (1), Podujevë (1), Prishtinë (2), Prizren (1) dhe Skenderaj (1).

Po sipas vendimit të KQZ-së, 15 vendvotimet tjera që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale dhe u takojnë këtyre komunave: Mitrovicë e Jugut (1 vendvotim), Novobërdë (1), Podujevë (1), Prishtinë (4), Prizren (4), Skenderaj (3) dhe Ferizaj (1).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të rinumëruar këto 23 vendvotime, pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, e cila ka vërejtur se gjatë pranimit të materialit zgjedhor këto vendvotime nuk kanë mundur të pranohen si të rregullta.

Në disa prej këtyre vendvotimeve formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuara ose pjesërisht të plotësuara dhe në disa raste mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, prandaj duhet të bëhet rinumërimi në mënyrë që të saktësohet gjendja brenda kutive të votimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat