PDK për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit: Vendim që tenton të cenojë rëndë demokracinë

Aktuale

PDK për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit: Vendim që tenton të cenojë rëndë demokracinë

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:53
Faton Avdullahu

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar procesin e zgjedhor për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Në lidhje me këtë zëdhënsi i PDK-së, Faton Avdullahu tha se PZAP-ja ka bërë përpjekje për të anuluar vullnetin e mijëra votuesve në Han të Elezit.

Avdullahu këtë vendim e quajti të tillë që tenton të cenojë rëndë demokracinë dhe minon zgjedhjet demokratike.

“Sot, PZAP – ka marrë një vendim i cili është i pashembullt, vendim i cili tenton të cenojë rëndë demokracinë dhe minon zgjedhjet demokratike. Me këtë vendim, PZAP-ja ka bërë përpjekje për të anuluar vullnetin e mijëra votuesve në Han të Elezit për kandidatin e PDK-së.Ankesa e cila ndikoi për këtë vendim, përveç se është e pa afatshme, nuk ka përmbajtur asnjë ankesë të qytetarëve, të asnjë vëzhguesi apo komisioneri”, tha Avdullahu.

Ai tha se pretendimet e parashtruesit të ankesës se në qendrat e votimit të cekura në ankesë janë të pabaza.

“Në bazë të të dhënave nga KQZ, në librat e votimit nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe mbi këtë bazë të rregullt, kundër kandidati ia ka uruar edhe fitoren kandidatit të PDK-së.Pretendimet e parashtruesit të ankesës se në qendrat e votimit të cekura në ankesë, sipas ankuesit, “iu është bërë presion votuesve për të votuar PDK-në”, janë të pabaza dhe janë krejtësisht të pavërteta. Pretendimet për presion ndaj votuesve nuk kanë asnjë mbështetje në prova apo dëshmitarë”.

“Nga sa kemi përcjellë mbledhjet e KQZ-së, gjatë gjithë ditës së votimit e deri në mbyllje të procesit, Dhoma operative në kuadër të KQZ-së, ku bën pjesë Policia, Prokuroria dhe Zyrtari i KQZ-së, nuk ka pranuar asnjë informacion që nga mëngjesi deri në mbyllje të vendvotimeve lidhur me pretendimet e kandidatit të pavarur, Rufki Suma”, tha ai.

Avdullahu tutje bëri të ditur se PDK-ja do të bëj ankesë brenda afatit ligjor në Gjykatën Supreme.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan procesin zgjedhor si të rregullt, demokratik dhe shembull në rajon. Asnjë OJQ nuk raportoi diçka të tillë dhe asnjë medie e qytetar nuk shprehen pakënaqësi për zgjedhjet në Han të Elezit.Prandaj, përpjekjet për ta lënduar procesin me ndërhyrjet e tilla janë të papranueshme.Partia Demokratike e Kosovës do të bëj ankesë brenda afatit ligjor në Gjykatën Supreme, ndaj këtij vendimi të pashembullt të PZAP-së”, u shpreh zëdhënsi i PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat