Kryetari i Supremes kërkon ashpërsimin e dënimeve në rastet e vrasjes brenda familjes

Aktuale

Kryetari i Supremes kërkon ashpërsimin e dënimeve në rastet e vrasjes brenda familjes

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 14:24
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci ka marrë pjesë në “Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e cila mbahet nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në një fjalë rasti para të pranishmëve ai ka theksuar nevojën e ashpërsimit të dënimeve në çështjet lidhur me dhunën në familje, posaçërisht në rastet e vrasjes së grave nga bashkëshortët. 

“Kosova, ndonëse është një vend i vogël, vazhdon të përballet me një shkallë të rëndë kriminaliteti, vrasjesh, tentim vrasjesh, grabitjesh e posaçërisht dhune. Është dhuna në familje, përkatësisht dhuna e burrave ndaj grave, ajo që vazhdon të na brengos, kur kemi parasysh statistikat e raportimeve. Madje dhe për fat të keq, edhe këtë vit kemi pasur raste të vrasjes së grave nga ana e burrave”, u shpreh kreu i Gjykatës Supreme, Peci, duke precizuar se në procedurë gjyqësore janë duke u shqyrtuar disa raste të tilla makabre dhe se nuk kanë munguar as dënimet maksimale, madje edhe me burgim të përjetshëm për kryesit e këtyre veprave. 

“Si Gjykatë Supreme, dhe si kryetar, këmbëngul për ashpërsimin e dënimeve, në rastet e vrasjes brenda familjes. Vetëm një politikë e ashpër ndëshkimore, mund të frenojë këtë trend vrasjesh që lë pasoja shumëdimensionale. Zbatimi i Konventës së Stambollit për ne si gjyqësor, përfshinë ashpërsimin e politikës ndëshkimore në rastet e dhunës në familje, posaçërisht rasteve që përfundojnë me vrasje; Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, është një tjetër dokument i rëndësishëm për zbatim nga dhënësit e drejtësisë”, theksoi Peci.

Sipas tij, një aspekt që kërkon fokusin e të gjithëve është njohja e viktimave të dhunës në familje me të drejtat e tyre dhe njëkohësisht edukimi i burrave për të ndryshuar mentalitetin patriarkal që ende mbizotëron tek ne. “Përçimi i mesazhi që theksohet edhe në Konventën e Stambollit, se dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk janë më çështje private, është përgjigje në thirrjet e heshtura për ndihmë”, pohoi mes tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat